Sipas burimeve lokale, gjithsej nëntë civilë kanë humbur jetën dhe 30 janë plagosur në një sulm me avion luftarak rus në një treg në zonën e deeskalimit në Idlib të Sirisë.
Duke konfirmuar viktimat, grupi i mbrojtjes civile “Helmetat e Bardha” tha se sulmi goditi tregun e perimeve në qendrën e rrethit Jisr al-Shughur.
Dyshohet se numri i të vdekurve do të rritet pasi të plagosurit janë dërguar në spital për trajtim.
Tre avionë luftarakë rusë u nisën nga baza ajrore Khmeimim në Latakia në orën 10:03 të mëngjesit me kohën lokale dhe kryen sulme ajrore në tregun e perimeve në rrethin Jisr al-Shughur, qendrën e qytetit dhe një fshat, sipas observatorit të avionëve të opozitës.
Në shtator 2018, Türkiye dhe Rusia ranë dakord për ta kthyer Idlibin në një zonë deeskalimi, ku aktet e agresionit janë shprehimisht të ndaluara.
Megjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij kanë thyer vazhdimisht kushtet e armëpushimit, duke kryer sulme të shpeshta brenda zonës.
Siria është përfshirë në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar Al-Asadit shtypi protestat pro demokracisë me një dhunë të papritur.
Qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se dhjetë milionë të tjerë janë zhvendosur, sipas vlerësimeve të OKB-së.