Markata e peshkut në Shëngjin, e para e këtij lloji që po ndërtohet në vend është drejt përfundimit. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi pasi inspektoi punimet u shpreh se qeveria ka planifikuar ndërtimin e 3 markatave të tilla.
Aktualisht është në fazën e tenderimit markata e Vlorës, punimet për të cilën do të nisin brenda vitit. Ndërsa markata e Durrësit do të ristrukturohet bashkë me organizatën e peshkimit. Vitin e ardhshëm ministri tha se do të nisin procedurat edhe për Markatën e Sarandes.
Investimi në Shëngjin kap vlerën e rreth 60 milionë lekëve dhe është një financim i buxhetit të shtetit. Me ndërtimin e këtyre markatave për herë të parë sipas ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të aplikohet procedura e ankandit. Kjo pritet të sjellë uljen e kostove në stabilimentet e peshkut dhe rritjen e cilësisë. /ABC News Albania 24/7