Sulmuesi i kombëtares Armando Sadiku ka shënuar golin e parë me skuadrën e Malagas në ligën e dytë spanjolle. Paraqitje dinjitoze edhe për futbollistin tjetër kuq e zi Keidi Bare.
Bomber i kombëtares kuq e zi Armando Sadiku gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen që Malaga luajti në transfertën e Mirandës në ligën e dytë spanjolle. Sulmuesi Elbasanas realizoi golin e vetëm për Malagan në barazimin 1-1.
Sadiku luajti si titullar ndërkohë që realizoi në minutën e 53 të ndeshjes. 28 vjeçari realizoi me kokë duke mposhtur portierin e skuadrës vendase. Një gol që erdhi në momentin e duhur për futbollistin e kombëtares ndaj të cilit pritshmëritë janë të larta.
Në këtë takim luajti për 70 minuta edhe futbollisti tjetër i ekipit kombëtar Keidi Bare.
“Do të isha me i lumtur nëse do të shënoja edhe golin e dytë. Do te jap maksimumin tim ne çdo takim. Është ndeshja e dytë që luaj dhe po përmirësohem. Trajneri më ka ndihmuar që nga dita e parë”, ishin fjalët e Sadikut pas ndeshjes./ABC News Albania 24/7