Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi këtë të hënë është shprehur se është njoftuar nga Gjykata e Serbisë për tu paraqitur në një seancë gjyqësore, për shkak të vendosjes së flamurit kombëtar në hapësirat publike.
Arifi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kjo ftesë dëshmon edhe më shumë shkeljet dhe diskriminimin që Serbia bënë ndaj shqiptarëve në Luginë.
“Sot kam pranuar një ftesë për paraqitje në gjykatën e Serbisë, me arsyetimin se kemi shkelur ligjet e këtij shteti për faktin e vendosjes së flamurit kombëtar shqiptar në hapësirë publike. Kjo ftesë dëshmon edhe më shumë shkeljet dhe diskriminimin që Serbia ia bën shqiptarëve të Luginës, por, për flamur do të paguajmë gjithmonë”, ka shkruar Arifi.
Vendosja e flamurit kombëtar ishte bërë nga Arifi për nderë të 28 nëntorit.
Ai ishte shprehur se prej gjashtë vitesh e ngre flamurin shqiptar në objektin e komunës edhe pse kjo gjë është ndaluar.
“Prej 6 vitesh, unë e vendos flamurin shqiptar më 28 nëntor në objektin tonë të administratës. Në këtë kontekst janë të mësuara dhe autoritetet serbe, por gjithsesi është një sfidë për Serbinë sesi na trajton. Çdo vit, autoritetet serbe, nëpërmjet shërbimeve të tyre policore dhe sekrete, kanë vëzhguar nga distanca administratën edhe pse për ne është normale”, ka thënë më parë Arifi. /abcnews.al