Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

22 medalje për shqiptarët! Fëmijët nga RMV që ngritën flamurin kuqezi në podiumin botëror

schedule13:11 - 14 Korrik, 2026

schedule 13:11 - 14 Korrik, 2026

Një sukses i jashtëzakonshëm për arsimin shqiptar vjen nga Olimpiada Ndërkombëtare STEM, ku nxënësit shqiptarë u kthyen në protagonistët e këtij edicioni, duke fituar plot 22 medalje në një nga garat më prestigjioze të shkencës dhe teknologjisë për të rinjtë.

Në finalen e zhvilluar në Romë, ku morën pjesë rreth 1.000 nxënës nga mbi 55 vende të botës, flamuri kuqezi u ngrit vazhdimisht në podium falë rezultateve të shkëlqyera të fëmijëve shqiptarë.
Mes fituesve spikati nxënësi ekselent nga Peqini, Loris Qoses, por suksesi nuk u ndal me kaq.

Në podium u ngjitën edhe shumë nxënës të tjerë shqiptarë, ndërsa një nga momentet më emocionuese ishte triumfi i nxënësve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, të cilët dominuan disiplinën e Coding, duke fituar pothuajse të gjitha medaljet e arta në kategoritë e tyre. Për mentorin e Olimpiadës STEM, Verim Zhaku, emocionet ishin të papërshkrueshme.



“Sa herë që thirrej emri i një nxënësi shqiptar, flamuri kuqezi ngrihej në skenë dhe salla shpërthente në duartrokitje. Në ato momente nuk kishte rëndësi nëse fëmijët vinin nga Shqipëria apo Maqedonia e Veriut. Ishte një ndjenjë uniteti dhe krenarie për të gjithë shqiptarët,” shprehet ai.

STEM konsiderohet një nga garat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Ajo nuk teston vetëm njohuritë teorike, por edhe aftësinë e nxënësve për të menduar në mënyrë kritike, për të analizuar situata komplekse, për të zgjidhur probleme reale dhe për të gjetur zgjidhje krijuese.

Gara përfshin sfida në matematikë të avancuar, fizikë, kimi, biologji, programim, interpretim të të dhënave dhe teknologji, duke u konsideruar një trampolinë drejt universiteteve dhe karrierave më prestigjioze në botë.

Pas çdo medaljeje fshihen muaj të tërë përgatitjeje intensive, zgjidhje testesh olimpike, eksperimente shkencore, ushtrime logjike dhe shumë orë pune, por edhe mbështetja e familjeve, mësuesve dhe mentorëve që besojnë tek potenciali i këtyre fëmijëve.

Ky rezultat është një tjetër dëshmi se të rinjtë shqiptarë janë të aftë të konkurrojnë denjësisht me bashkëmoshatarët më të mirë në botë, kur u krijohen mundësitë dhe kushtet për të zhvilluar talentin e tyre.

Në studion e ABC e Mëngjesit, mentori Verim Zhaku, së bashku me disa prej nxënësve fitues, ndajnë emocionet e kësaj eksperience të jashtëzakonshme, rrugëtimin drejt medaljeve dhe mesazhin se investimi në dije është investimi më i sigurt për të ardhmen. Sepse çdo medalje e fituar nuk është vetëm një çmim individual, por një krenari për të gjithë shqiptarët.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!