Kryeqyteti i Francës është përfshirë ditën e premte nga një paralizë e transportit publik. Punonjësit e metrove kanë bojkotuar punën në shenjë proteste ndaj reformës së pensioneve. Nismës së tyre pritet t’u bashkohen në ditët në vazhdim edhe punonjës të sektorëve të tjerë.
Kryeqyteti i Francës ka përjetuar të premten një paralizë për shkak të grevës së punëtorëve të transporteve, në shenjë proteste ndaj reformës së pensioneve. Të paktën 10 nga 16 linjat e metrosë së Parisit qëndruan të mbyllura, ndërsa në të tjerat shërbimi ka qenë me ndërprerje. Shumë punonjës të sektorëve të ndryshëm kanë shkuar në punë me biçikletë, në këmbë, ose kanë qëndruar në shtëpitë e tyre. Ndërsa të tjerë, sipas mediave franceze, kanë përdorur biçikletat elektronike të ofruara nga kompania Uber dhe motorë të vegjël. Greva, më e madhja që prej vitit 2007, është e para që kur presidenti Emanuel Makron prezantoi reformën e pensioneve. Ajo do të zëvendësojë skema të ndryshme pensioni për profesione të ndryshme. Punonjës të fushave të tjera si avokatët, ata të linjave ajrore dhe mjekësisë kanë bërë thirrje për më shumë greva duke filluar nga e hëna e ardhshme. Të premten, vetëm në rajonin e Parisit u krijuan radhë të gjata automjetesh, që në tërësi arrinin deri në 235 kilometra, më shumë se dyfishi i nivelit normal. Mediat lokale publikuan gjithashtu foto të platformave të metrove që punonin të mbushura me njerëz në pritje. Punonjësit e metrove deklarojnë se reforma e re e pensioneve do t’i detyrojë ata të punojnë më gjatë, duke u hequr mundësinë për të dalë në pension më herët, një e drejtë kjo e negociuar dekada më parë për të kompensuar orët e gjata të kaluara nën tokë. /ABC News Albania 24/7