Anulimi i tenderit, braktiset kantieri i punimeve për rrugën Kardhiq-Delvinë

schedule14:55 - 13 Shtator, 2019

schedule 14:55 - 13 Shtator, 2019

Në kantierin e firmës që kryente punimet për rrugën Kardhiq-Delvinë kanë mbetur vetëm dy makineri të cilët punëtorët e fundit po i largonin. Nuk dihet ende se kur do të rinisin punimet për këtë segment që është cilësuar nga më të rëndësishmit në jug dhe që do e shkurtonte me tre orë kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë.  

Janë punëtoret e fundit në kantier. Po bëjnë gati çka u ka mbetur aty për t’u larguar pas një viti punime. Këtu janë kryer më shumë se 38 përqind e punimeve.  7.6 kilometra nga Ura e Kardhiqit në drejtim të Fushë Bardhës dhe 9.7 kilometra nga Delvina ne drejtim të Vergos. E gjithë rruga ka një gjatësi prej 34 kilometrash.

Koha e udhëtimit nga Tirana në Sarandë do të shkurtohej me tre orë. Tani nuk dihet se kur do të ndodhë kjo mrekulli e propaganduar dhe premtuar shpesh.  Punimet filluan në shtator të vitit 2018 dhe parashikohej të përfundonin brenda 24 muajve. Në 17 Qershor të këtij viti, Autoriteti Rrugor Shqiptar zhvilloi procedurën e prokurimit, për ndërtimin e lotit të 7 të rrugës Kardhiq-Delvin.

Një përplasje për më shumë se një muaj midis ARRSH-së dhe Komisionit të Prokurorimeve, lidhur me fituesin e garës për tunelin e Kardhiqit, nxiti Ministrinë e Infrastrukturës që përmes një akti të udhëzonte Autoritetin Rrugor te anulonte tenderin duke e shtyrë ndërtimin e rrugës Kardhiq-Delvinë. Justifikimi ishte se paratë për këtë vepër duhet të përdoren në projekte të tjera me ecuri më të mirë realizimi./ABC News Albania 24/7