Ahmet Ajeti, i akuzuar për atentatin ndaj Lulzim Berishës në vitin 2005 ka rrëfyer para togave të zeza se dy persona i kanë bërë presion që të vrasë ish-kreun e bandës së Durrësit. Ajeti, i dënuar me 20 vite burg në mungesë, ka deklaruar se nuk donte ta kryente vrasjen, e për këtë arsye është vetëplagosur.
U akuza se në vitin 2005 ka tentuar të vriste Lulëzim Berishën, Ahmet Ajeti ka dëshmuar para togave të zeza. Kosovari i dënuar në mungesë me 20 vite burg, ka rrëfyer se si ka kontakuar me porositësit e atentatit ndaj ish-kreut të bandës së Durrësit.
“Në Gusht të 2005-s erdha në Shqipëri pasi kërkoja punë. Isha me Osman Karpuzin të cilin e njihja që nga viti 2001. Osmanin e kam njohur në luftën kombëtare të Maqedonisë. U ndalëm fillimisht në Tiranë tek një ndërtesë, ku u takuam me dy persona të cilët na thanë se mund të na siguronin punë. Por puna ishte në Durrës. Më pas jemi nisur drejt Durrësit ku ata na dërguan në një hotel, për të cilin na thanë se ishte i tyre. Të nesërmen ata erdhën prapë dhe na sollën një armë bashkë me një fotografi dhe na thanë këtë person do ta vrisni. Më shumë biseduan me Osmanin dy personat, por ne nuk donim të bënim vrasje. Ata na thanë që s’keni shpëtim pa kryer veprën penale”, ka dëshmuar ai.
Më tej, Ajeti tregon momentet e vetëplagosjes, me qëllim për të shmangur vrasjen e Lul Berishës.
“Kur Osmani doli për të blerë cigare, unë mora armën dhe në hyrje të ndërtesës u vetëplagosa në anën e majtë, në bark. U vetëplagosa pasi nuk doja të kryeja vrasje. Më kanë marrë njerëzit dhe më kanë dërguar në spital. Aty erdhën 2 personat, dhe më thanë që nëse flet, vëllain nuk do ta shikosh më. Policia më mori në pyetje dhe me dërguan, në një ndërtesë ku më ruante një polic. Policisë i thashë që jam përplasur gjatë një sherri banal me disa persona dhe ata më plagosën. Bashkë me vëllain deri në dalje të Durrësit na ka shoqëruar policia që na ruante dhe më pas u larguam”, ka thënë më tej ai.
Ahmet Ajeti u ekstradua nga Kosova drejt vendit tonë në vitin 2018, pas dënimit që kishte në mungesë. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që të rihapte procesin gjyqësor pas kërkesës së bërë nga i dyshuari Ajeti.
Organi i akuzës kërkon të provojë faktin se Ahmet Ajeti, ka marrë urdhër për të ekzekutuar Berishën nga Endrit Dokle dhe Adriatik Cami, të cilët ishin dhe rivalë të kreut të bandës së Durrësit.
Ndërkohë, ai thotë se nuk i njeh 2 personat që e urdhëruan për të kryer vrasjen dhe madje as Lulzim Berishën. Në seancën e ardhshme, Prokuroria për Krime të Rënda pritet që të lexojë pretencën./ABC News Albania 24/7