SHBA-Mbretëri e Bashkuar zotohen për partneritet të ri ekonomik

schedule21:27 - 8 Qershor, 2023

schedule 21:27 - 8 Qershor, 2023

Një marrëveshje ambicioze e quajtur “Deklarata Atlantike”, u arrit të enjten nga Joe Biden dhe Rishi Sunak, pas takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe pse Deklarata tani për tani është vetëm një seri marrëveshjesh të vogla dhe individuale, simbolika e saj është e rëndësishme, komenton The Guardian. Marrëveshja shënon një zhvendosje nga doktrina britanike e tregtisë së lirë të pakufizuar në proteksionizëm të ndërsjellë.

Kjo do të thotë se Britania e Sunak është fort në orbitën ekonomike të qeverisë amerikane dhe sinjalizon një ringjallje të lidhjeve midis dy vendeve pas trazirave të Brexit.

Britania është pjesërisht në bord me dispozitat e Aktit të Reduktimit të Inflacionit (IRA) të Bidenit, i cili ofron subvencione masive për infrastrukturën e gjelbër. Prodhuesit e makinave elektrike në Britani, ndër të tjera, do të përfitojnë nga një pjesë e skemës së subvencionimit të IRA-s.

Marrëveshja do t’u japë kompanive britanike të energjisë së gjelbër dhe mbrojtjes akses në tregjet e SHBA-së, ndërkohë që do t’i lejojë bizneset britanike të përfitojnë nga subvencionet amerikane.

Megjithatë, të gjitha shpresat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të tregtisë së lirë pas Brexit-it po braktisen. Në vend të kësaj, do të zbatohen një sërë marrëveshjesh sektor pas sektori, nga prokurimi i mbrojtjes te të dhënat dhe aftësitë. /abcnews.al