Pas nje takimi që pati mbrëmë në Bruksel me përfaqësuesen e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, kryeministri Rama deklaroi se kishte marrë prej saj një tjetër konfirmim të mbështetjes për hapjen e negociatave të anëtarësimit ne BE-në. Referuar situatës politike në Shqipëri dhe protestës së opozitës, brenda dhe jashtë Parlamentit, Rama tha se në gjuhë të huaj nuk fliste për opozitën, por për Shqipërinë.
Takimi kokë më kokë me shefen e politikës së Jashtme të BE-së dhe darka e organizuar nga Federica Mogherini me liderët e Ballkanit Perëndimor, i ka dhënë Edi Ramës një tjetër konfirmim se ka mbështetjen e institucioneve të Brukselit, për çeljen e negociatave.
Kur zhvilloi këto takime në Bruksel, kishin kaluar vetëm pak orë nga tymi në Parlament dhe objektet që fluturonin mbi kokat e qeveritarëve, të hedhura nga deputetë të opozitës për të bllokuar zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku.
Sipas Kryeministrit, në sytë e Europës ka qenë e qartë se vendimi në Parlament, i marrë vetëm me votat e mazhorancës, i ka shërbyer rritjes së besimit që reforma në drejtësi do të shkojë në drejtimin e duhur dhe se ka vullnet për ta çuar atë përpara.
Pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor, zyra e Mogherinit theksoi përmes një njoftimi për shtyp se viti 2018 do të paraqesë një mundësi unike për rajonin në rrugëtimin drejt BE-së, me kusht që t’u jepet prioritet reformave të nevojshme, në veçanti shtetit të së drejtës, reformës në drejtësi dhe të drejtave themelore të njeriut. Shefja e diplomacisë së Unionit ka nënvizuar nevojën që partnerët e Ballkanit Perëndimor – siç i cilëson ajo – të përshpejtojnë reformat për përmbushtjen e pritshmërive të qytetarëve përkatës./abcnews.al