Pavarësisht nismave të Bankës së Shqipërisë për të ulur përdorimin e euros në ekonomi, duket se nuk kanë rezultuar efektive.
Sipas raportit të fundit të bankës qendrore për deeuroizimin, rezulton se shqiptarët po preferojnë gjithnjë e më shumë euron se monedhën vendase, pasi të dhënat flasin për zgjerim të depozitave, kredive por edhe borxhit publik në valutë.
Gjatë vitit të kaluar pesha e kredive në valutë rezultoi sa 52% e totalit të kredive të dhëna, ndërsa vlera e parave në banka në valutë ishte sa 55% e totalit sipas raportit.
Ndërkaq, në drejtim të depozitave u vu re një rritje e atyre në lek vitin e kaluar, ndërsa këtë vit duket se trendi po shkon sërish drejt euros. Të dhënat e fundit tregojnë se edhe në prill depozitat në euro u zgjeruan ndjeshëm duke shënuar një rritje vjetore prej 16.7%, tendencë që shkon në kah të kundërt me objektivat e bankës qendrore për minimizimin e euros.
Por, monedha europiane gjen përdorim të gjerë edhe në transaksionet si shitblejra e apartamenteve, në tregun e automjeteve, në blerjet e përditshme që qytetarët bëjnë për produkte të caktuara pasi edhe çmimet e afishuara janë po në euro.
Prej disa vitesh Banka e Shqipërisë e asistuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ka nënshkruar edhe një memorandum me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrinë e financave për të nxitur përdorimin e lekut dhe ulur atë të euros në ekonomi, por dukshëm efektet e masave të marra kanë qenë modeste./abcnews.al