Konstituohet Këshilli i Qarkut të Tiranës, Veliaj: Do të rikonceptojmë shërbimet

schedule21:30 - 9 Shtator, 2019

schedule 21:30 - 9 Shtator, 2019

Konstituohet Këshilli i qarkut të Tiranës në krye të të cilit u zgjodh Aldrin Dalipi. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka nënvizuar se bashkëpunimi me bashkitë fqinje do të sjellë një konceptim të ri të disa shërbimeve siç janë ato të ujësjellës-kanalizimeve.

Nuk kanë mbaruar zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Ashtu siç parashikohej në mënyrë unanime, këshilltarët i dhanë mbështetjen për një mandat të dytë si kryetar i Qarkut, Aldrin Dalipit, ndërsa zv.kryetare u zgjodh Nertila Ndreu, që vjen për herë të parë si përfaqësuese e Bashkisë Kamzë. Gjithashtu, u zgjodh edhe kryesia e qarkut me përfaqësues të bashkive të Tiranës, Vorës, Kavajës dhe Rrogozhinës.

Për Kryebashkiakun Erion Veliaj bashkëpunimi me bashkitë fqinje do të shënojnë histori suksesi në katër vitet e ardhshme.

“Për mua që kam qenë i rrethuar nga qytete me bashki jo detyrimisht më bashkëpunueset, është realisht një kënaqësi të shoh se si ku ka vullnet, ka transformim. Ajo që kam parë në Kamëz dhe Vorë, që janë dy bashkitë më imediate, më ka bërë të ndihem shumë mirë për faktin se në qarkun e ardhshëm do të kemi realisht disa histori suksesi, jo vetëm Tirana si bashki, por edhe bashkitë e tjera në qarkun tonë”.

Kalimi majtas i drejtimit të bashkive që rrethojnë Tiranës e bën kryebashkiakun Veliaj optimist për zgjidhjen e disa çështjeve me interes të përbashkët.

“Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës nuk e bëjnë dot ndarjen e financave dhe të sistemit të tyre të menaxhimit kur bashkitë nuk janë bashkëpunuese. Fakti që sot në Kamëz dhe në Vorë kemi drejtues të rinj, menjëherë çështjen e ujit të pijshëm, që është një nga çështjet më sensitive për qytetarët tanë, e kanë vënë në vijë dhe në zgjidhje; besoj se është një lajm shumë i mirë”

Kryebashkiaku shprehu domosdoshmërinë që qarku të marrë një rol të ri, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë të ofrimit të shërbimeve për qytetarët. Veliaj propozoi që shumë prej shërbimeve të rikonceptohen dhe aty ku është e mundur të ofrohen shërbime të përbashkëta. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!