Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, i ka shprehur shqetësimet e tij qeverisë britanike për projektligjin e imigracionit. Për qeverinë e kryeministrit konservator Rishi Sunak, është prioritet ndalimi i mbërritjes së emigrantëve të paligjshëm përtej Kanalit.
Për këtë qëllim, në prill u miratua një projektligj i rreptë nga Dhoma e Komunave, i cili tani duhet të miratohet nga Dhoma e Lordëve. Projektligji parashikon arrestimin e menjëhershëm të emigrantëve që mbërrijnë në Britani ilegalisht me varka dhe deportimin e tyre ose në vendet e tyre të origjinës ose në të ashtuquajturat vende të treta të sigurta si Ruanda.
“Ne kemi shqetësime shumë serioze për sa i përket ligjit ndërkombëtar të migracionit dhe ligjit ndërkombëtar humanitar, sepse ligji në thelb i ndalon njerëzit të kërkojnë azil në Britani,” vuri në dukje Turk në një intervistë të dhënë nga Gjeneva.
Një zëdhënës i misionit diplomatik britanik në Gjenevë tha: “Ne vazhdojmë të punojmë me Komisionerin e Lartë në lidhje me Projektligjin e Imigrimit të Paligjshëm”, ndërsa shtoi se ai është i bindur se masat e parashikuara në të, përfshirë deportimin e emigrantëve në Ruandë, janë të ligjshme dhe sipas konventës së OKB-së për refugjatët.
Në të njëjtën kohë, Komisioneri i Lartë i OKB- së vlerësoi se politika e re amerikane e imigracionit e bën “shumë të vështirë” për njerëzit që të kërkojnë azil në kufi.
Megjithatë, ai vlerësoi punën e administratës së Presidentit Joe Biden për të krijuar rrugë të sigurta dhe të ligjshme emigracioni.
Lidhur me luftën në Sudan, Turk tha se ishte një “shqetësim i madh” që dhuna që filloi në Khartoum në prill mund të merrte një “dimension ndërkombëtar, i cili do të jetë i tmerrshëm”.
/abcnews.al