Todiç me komandantin e KFOR-it: Jeta në Leposaviq është paralizuar, nuk jemi të sigurt me forcat speciale këtu

schedule14:55 - 30 Maj, 2023

schedule 14:55 - 30 Maj, 2023

Anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, Slavko Simiç dhe ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiç këtë të martë ka zhvilluar një komunikim me komandantin e KFOR-it amerikan, ku sërish i ka theksuar që të tërhiqet policia e Kosovës dhe të largohet kryetari i sapozgjedhur Lulzim Hetemi nga ndërtesa e komunës.

Todiç theksoi se serbët e mbledhur para ndërtesës së komunës nuk duan asnjë incident, por vetëm për të siguruar punën e tyre të qetë në institucionet e tyre.

Jeta në Leposaviq është ndalur, ata erdhën këtu me përdorimin e forcës. Ata mund të shkojnë, që ne t’i kthehemi jetës normale”, i ka thënë Todiç, komandantit amerikan të KFOR-it, i cili zëvendësoi kontingjentin italian para ndërtesës së komunës së Leposaviqit sot në mëngjes.

Ndër të tjera ai ka theksuar se jeta në Leposaviq është e paralizuar, se asgjë nuk funksionon dhe kur është fjala për qytetarët dhe institucionet, shkollat, ndërmarrjet publike dhe institucionet shëndetësore, ata nuk punojnë.

Të gjitha ato institucione janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me funksionimin e komunës sonë. Askush nuk mund ta ushtrojë të drejtën e tij sepse kjo ndërtesë nuk funksionon. Të punësuarit në këtë ndërtesë nuk janë në vendet e tyre të punës“, tha Todiç.

Ai përmendi shembullin se në këtë institucion janë pesë të punësuar të cilët kanë të drejtë për pension këtë vit dhe theksoi se pas 40 vitesh punë, sot nuk mund të jenë në vendet e tyre të punës.

Ndër të tjera ai ka thënë se në komunën e Leposaviqit jetojnë serbët si popullatë shumicë, shqiptarët në tri fshatra, goranët, boshnjakët dhe romët dhe se në ato zgjedhje kanë marrë pjesë vetëm banorët e tri fshatrave shqiptare.

Nga ana tjetër komandanti i KFOR-it ka theksuar se dëshirojnë që gjithçka të përfundojë me dialog dhe se shqetësimet dhe kërkesat që serbët i kanë shprehur kryetarit të komunës do t’i përcjellin dhe se shpresojnë që gjithçka të zgjidhet në rrugë paqësore. Ai tha se janë të pranishëm edhe për të mos eskaluar situatën siç ndodhi në Zveçan dhe për të vepruar si ndërmjetës për të arritur një zgjidhje paqësore.

Komandanti i KFOR-it u pajtua dhe tha se nuk dëshiron që të përsëritet situata e djeshme.

Todiç nënvizoi edhe një herë se asnjë nga njerëzit e mbledhur nuk përkrah asnjë lloj dhune, por se po kërkojnë nga KFOR-i që serbët të mund të punojnë, të drejtat themelore të njeriut.

“Këta njerëz nuk kanë besim në shërbimet policore të Kosovës. Ka një zgjidhje, ju jeni ata që duhet të siguroheni që ky popull të jetojë normalisht. Përderisa këtu është policia speciale e Kosovës, ne nuk ndihemi të sigurt“, tha Todiç./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!