Tajfuni kalon nëpër Korenë e Veriut, vendi në krizë

schedule08:26 - 9 Shtator, 2019

schedule 08:26 - 9 Shtator, 2019

Gadishulli korean në Azi është goditur nga tajfuni “Lingling”. Në Korenë e Veriut stuhia shkaktuar vdekjen e disa personave, ndërsa ka rrafshuar edhe një pjesë të mirë të të mbjellave, në një moment kur vendi ndodhet në krizë ushqimore.

Tajfuni i fuqishëm “Lingling” ka kaluar nëpër gadishullin korean, duke lënë 5 të vdekur dhe 460 shtëpi të shkatërruara vetëm në Korenë e Veriut. Sipas medias shtetërore të vendit aziatik, stuhia ka përmbytur 460 kilometra katrorë tokë të mbjellë, në një kohë kur vendi vuan nga rezervat e tkurrura ushqimore.

Ndërkohë, autoritetet druhen se situata mund të përkeqësohet në orët e ardhshme. Më herët gjatë vitit, Kombet e Bashkuara paralajmëruan se deri në 10 milionë koreano-veriorë kishin nevojë urgjente për asistencë ushqimore.

Lideri Kim Jong Un mbajti të premten një mbledhje të jashtëzakonshme me zyrtarët përgjegjës, të cilët i kritikoi për mungesë veprimi në parandalimin e dëmeve të tajfunit. Sipas agjencisë së lajmeve “KCNA”, qeveria po u kushton vëmendje mbrojtjes së të mbjellave, si dhe digave e rezervuarëve.

Ditën e shtunë “Lingling” goditi Korenë e Jugut, ku u mori jetën të paktën 3 personave, la pa energji dhjetëra mijëra shtëpi dhe çoi në anulimin e shumë fluturimeve. Aktualisht vendi po merr veten nga dëmet e shkaktuara, me energjinë elektrike që është rikthyer në rreth 160 mijë shtëpi dhe fluturimet që po rifillojnë gradualisht. Me erëra që fryjnë deri në 140 kilometra në orë, “Lingling” është ndër tajfunet më të fuqishme që godet gadishullin Korean./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!