“Është koha e shqiptarizmit”/ Ngjela: Nëse Serbia angazhon SHBA në luftë, do humbasë territor deri në Nish

schedule20:35 - 29 Maj, 2023

schedule 20:35 - 29 Maj, 2023

Avokati Spartak Ngjela thotë se shqiptarët në Kosovë, tanimë janë në favor në 4 komunat veriore me shumicë serbe, pasi këta të fundit nuk morën pjesë në zgjedhjet për kryetarë të komunave.

Në emisionin “Lufta dhe Paqja” në ABC News, Ngjela u shpreh se nëse serbët lokalë do duan të përshkallëzojnë situatën dhe Serbia do të angazhojë SHBA në luftë, ky shtet do të humbasë territor deri në Nish.

Sipas Ngjelës, tani është koha e shqiptarizmit dhe shtoi se politika e madhe botërore kërkon mbështetjen e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

“Tani shqiptarët janë në favor. Ne jemi vetëm në favor, por atje hyri KFOR-i. Forcat shqiptare të Kosovës nuk kanë marrë pjesë, aty janë. Po të duan ata ta përshkallëzojnë, aq më mirë për ne. Nuk e di çfarë do ndodhë, por unë njoh historinë. Nëse ata do angazhojnë Amerikën në luftë, do humbasin territor deri në Nish, mbajeni mend nga unë këtë. Le të rrinë aty këtu ku janë, se Shqipëria fillon, sapo të stabilizojë këtë zonë, do fillojë problemin e Çamërisë. Mbajeni mend nga unë këtë. Kjo është koha e shqiptarizmit, nuk mund të ndryshojë. Politika e madhe botërore e ka shpresën te bota shqiptare në Ballkan, e do domosdoshmërisht në mbështetje, botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Nuk po bën asnjë shkelje ligjore, është shtet i pavarur Kosova, ka territorin e saj, ka edhe 4 komuna serbe, të cilat nuk kanë hyrë në zgjedhje. Struktura juridike nuk mund ta pranojë, hyri pakica në zgjedhje dhe u zgjodhën kryetarët. Pse duhet konflikt këtu kur unë kam zbatuar ligjin?”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!