Presionet në administratë, Alket Hyseni: Ndodhën në bashkitë e opozitës

schedule13:06 - 8 Shtator, 2019

schedule 13:06 - 8 Shtator, 2019

Socialistët pohojnë që nuk kanë pritur një raport të shkëlqyer nga ODIHR për zgjedhjet e 30 Qershorit. Anëtari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Alket Hyseni tha për ABC News se presionet në administratë që evidenton raporti, janë kryer në bashkitë opozitare.

Raporti kritik i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 30 Qershorit, nuk i ka gjetur të papërgatitur socialistët.

“Nuk kemi pritur ndonjë raport që të ishte me penelatën më të bukur të mundshme, për shkak edhe të situatës që ndodhi pra dhe gjatë 30 Qershorit, megjithatë raporti ishte i qartë. Raporti konfirmonte zgjedhjet demokratike”, tha Alket Hyseni.

Anëtari i komisionit të reformës zgjedhore, Alket Hyseni, gjatë një interviste për ABC News thotë se presioni ndaj administratës, të cilën raporti e thekson fort, është ushtruar nga opozita.

“Ishte pikërisht dhunimi që iu bë administratës së bashkive të opozitës për të dalë jo thjesht në aktivitete elektorale, por për të lënë totalisht punën dhe për të dalë në mitingje, të cilat shpesh ishin të dhunshme thotë raporti. Kjo është një arsye kryesore që ka përkeqësuar këtë aspekt”, tha ai.

Por a e përjashtojnë socialistët të kenë ushtruar vetë presion mbi punonjësit?

“Unë nuk pretendoj që edhe ne kemi qenë perfektë. Jemi përmirësuar në vite, por nuk më rezulton në asnjë rast presion. Mund të flas me përgjegjësi të plotë për zonën që unë kam mbuluar dhe unë kam mbuluar katër bashki. Nuk ka pasur asnjë rast të vetëm që persona publik me koperturë shtetërore të kenë ushtruar presion ndaj çdo zgjedhësi për të marrë pjesë apo jo në zgjedhje”, tha Hyseni.

Në raport nuk nënvizohet si shkelje nga ana e presidentit anulimi i 30 Qershorit, dekret për të cilin socialistët duan ta shkarkojnë Ilir Metën. Kjo nuk lexohet si dështim i mazhorancës.

“Një vendimmarrje nul nuk ka vlerë për t’u rreshtuar në faqet e atij raporti dhe besoj që injorimi që i ka bërë kësaj pjese të vendimmarrjeve edhe raporti tregon që ne kemi pasur të drejtë”, tha ai.

Por rekomandimet e raportit pranohen.

“Rekomandime të cilat ne kemi muaj e vite që po i lutemi opozitës që të vijë në tryezën e bashkëpunimit pikërisht për të adresuar këto rekomandime apo shumë problematika të tjera që ne i kemi konstatuar”, tha Hyseni.

Megjithëkëtë, në këtë fazë, PS nuk është gati të bëjë një tërheqje për të larguar Damian Gjiknurin nga bashkëdrejtimi i reformës zgjedhore, një kërkesë kjo e opozitës jashtëparlamentare dhe asaj në Kuvend.

“Unë do të ftoja opozitën parlamentare dhe jo vetëm atë, opozitën joparlamentare që të fokusohen në gjëra thelbësore dhe të mos merren me gjëra të cilat nuk kanë për qëllim të zgjidhin problematika, nuk kanë për qëllim t’u ofrojnë shqiptarëve një ligj elektoral më të mirë se ky që është, por kanë synim të vetëm politikën e ditës”, tha Hyseni.

Megjithëkëtë, dera ngelet e hapur.

“Ta lemë politikën e ditës, sikurse ne jemi gati të sakrifikojmë politikën e ditës në favor të zgjidhjeve të mëdha, për Shqipërinë, për integrimin e saj në BE”, përfundoi deputeti i PS-së./ABC News Albania 24/7