Hapen 13 qendra të reja vaksinimi në vend, Manastirliu: Vaksinim derë më derë

schedule14:30 - 7 Shtator, 2019

schedule 14:30 - 7 Shtator, 2019

Nga pika e re e vaksinimit ne Allias . Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ritheksoi faktin se  Vaksinimi do të kryhet ‘derë më derë’ në çdo komunitet. Ministrja deklaroi se po investohet për përmirësimin e  pajisjeve per ruajtjen e vaksinave në 50 qendra shëndetësore.

Hapen 13 pika të reja të vaksinimit në vend, duke e çuar këtë program parësor për shëndetin publik, në çdo komunitet, afër vendbanimit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe drejtuesi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Shqipërinë, dr. Raul Gonzalez vizituan pikën e re të vaksinimit në Allias, nga ku ministrja u shpreh se vaksinimi do të kryhet “derë më derë” në çdo komunitet.

“Me investimet që kemi bërë për rrjetin e zinxhirit ftohës të vaksinimit por edhe me investimet të tjera në këtë qendër është bërë e mundur hapja e kësaj pike vaksinimi që i shërben një komuniteti prej rreth 7 mijë banorësh në zonën e Alliasit, në periferi të Tiranës”, tha Manastirliu.

Ministrja u beri apel prindërve që të ndërgjegjësohen për të kryer vaksinat e fëmijëve sipas kalendarit të vaksinimit.

“Si kjo pikë vaksinimi janë hapur 13 në gjithë Shqipërinë, ndërkohë që zinxhiri ftohësh është përmirësuar për 50 qendra shëndetësore, duke rritur sigurinë e vaksinave”, u shpreh ministrja.

Drejtuesi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Shqipërinë, dr. Raul Gonzalez vlerësoi punën e qeverisë shqiptare për rritjen e mbulesës vaksinale në vend.

“Ky është një rast që ne shohim se si Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i është përshtatur nevojave të reja të popullsisë. Popullsia është rritur në këtë zonë, ka më shumë nevojë për vaksina. Kjo është një mënyrë se si shteti po siguron një mbulim të lartë të popullsisë”.

Ministrja e Shëndetësisë ka financuar futjen e një vaksine të re në kalendarin e vaksinimit, vaksinën e rotavirusit, e cila do të aplikohet duke filluar nga muaji Tetor. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!