Në Gjykatën Speciale po vazhdon të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të shtatë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).
Gjatë intervistimit nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, dëshmitari me kodin W-01236 ka folur për periudhën e luftës kur ai pretendon se ishte ndaluar.
Ai ka deklaruar se ende i vuan pasojat e ngjarjeve të luftës, dhe sipas tij, ka marrë edhe trajtim psikologjik për dy vjet në Zvicër.
Dëshmitari i mbrojtur ndër të tjera ka thënë se me 28 dhe 29 janar të vitit 2020 kishte dhënë deklaratë për ZPS-në.
Intervistimi nga prokurori Nathan Quick është bërë në seancë të mbyllur meqë sipas ZPS-së pyetjet lidheshin me një incident të veçantë përmes së cilit mund të identifikohet dëshmitari.
Ndërsa gjatë paradites ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, i cili sikur pesë të tjerë që dëshmuan në këtë çështje, kishte masa mbrojtëse.
Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.
Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.
/KosovaPress/