Platforma e mesazheve WhatsApp ka njoftuar se do t’u ofrojë përdoruesve një opsion të ri për të modifikuar mesazhet brenda 15 minutave nga dërgimi.
Kjo veçori do të jetë e disponueshme për dy miliardë përdoruesit e aplikacionit WhatsApp në javët e ardhshme, raporton BBC.
Një funksion i tillë tashmë ofrohet nga aplikacionet konkurruese Telegram dhe Signal.
WhatsApp është pjesë e gjigantit amerikan të teknologjisë Meta, i cili zotëron gjithashtu Facebook dhe Instagram, dhe numëron Indinë si tregun e saj më të madh, me 487 milionë përdorues.
“Nga rregullimi i një gabimi të thjeshtë shtypi te ndryshimi i kontekstit të një mesazhi, ne jemi të entuziazmuar t’ju japim më shumë kontroll mbi bisedat tuaja. Gjithçka që duhet të bëni është të shtypni gjatë mesazhin e dërguar dhe të zgjidhni “Edit” nga menuja deri në 15 minuta më pas”, tha WhatsApp.
Mesazhet e modifikuara do të shënohen si “të modifikuara”, kështu që marrësit janë të vetëdijshëm se përmbajtja është ndryshuar, megjithatë, atyre nuk do t’u shfaqen versionet më të vjetra të mesazhit./abcnews.al