A ekziston një botë përtej asaj që shohim me sy? A mund të na flasë intuita më qartë se logjika? Këto janë disa nga pyetjet që kanë shoqëruar që në fëmijëri Gjergji Hysin, spiritualistin që ishte i ftuar në studion e ABC e Mëngjesit.
Ai rrëfen se që në moshë të vogël përfshihej në mendime të thella mbi kuptimin e jetës, ekzistencën dhe atë që fshihet përtej realitetit të dukshëm. Në atë kohë nuk e kuptonte plotësisht çfarë po përjetonte, por e ndjente se kërkimi për përgjigje do të bëhej pjesë e rrugëtimit të tij.
“Që i vogël më mundonin pyetjet e mëdha: kush jemi, pse jemi këtu dhe çfarë ndodh përtej asaj që shohim. Me kalimin e viteve, studimet dhe përvojat personale më afruan gjithnjë e më shumë me spiritualitetin”, shprehet ai.
Sipas Hysit, spiritualiteti nuk është një ritual apo një formulë magjike, por një proces i gjatë vetënjohjeje dhe zhvillimi të brendshëm. Ai beson se meditimi, reflektimi dhe dëgjimi i intuitës mund ta ndihmojnë njeriun të krijojë një lidhje më të thellë me veten dhe botën që e rrethon.
“Frika vjen zakonisht me ankth dhe pasiguri, ndërsa intuita vjen me qetësi. Edhe kur mesazhi nuk është ai që duam të dëgjojmë, intuita na jep një ndjesi qartësie”, thotë ai.
Një pjesë e rëndësishme e filozofisë së tij lidhet me energjinë që transmetojnë njerëzit. Sipas Hysit, mendimet, emocionet dhe veprimet ndikojnë drejtpërdrejt në energjinë që krijojmë dhe ndajmë me të tjerët. Kur njeriu jeton në paqe me veten, reflekton energji pozitive, ndërsa zemërimi, urrejtja dhe konfliktet krijojnë ngarkesa negative.
Ai flet edhe për përvojat që shumë njerëz raportojnë si ëndrra domethënëse, sinkronicitete apo ndjesi të forta intuitive, të cilat sipas tij mund të jenë forma komunikimi që kërkojnë vëmendje dhe interpretim.
Në qendër të shpjegimeve të tij janë edhe çakrat, të cilat në traditat shpirtërore konsiderohen si qendra energjie të trupit. Sipas tij, harmonizimi i këtyre qendrave ndikon në ekuilibrin emocional, mendor dhe shpirtëror të individit. Për Gjergji Hysin, përgjigjet që njerëzit kërkojnë shpesh jashtë vetes gjenden brenda tyre. Ai beson se qetësia, mirënjohja dhe vetëdija janë çelësat për të kuptuar më mirë veten dhe për të përballuar sfidat e jetës. “Çdo njeri ka një dritë brenda vetes. Sa më shumë ta njohim atë dritë, aq më e qartë bëhet rruga jonë në jetë”, përfundon ai.



