Mediu: OSBE rrëzoi 30 qershorin, zgjedhjet janë ato të deklaruara nga Presidenti

schedule12:11 - 5 Shtator, 2019

schedule 12:11 - 5 Shtator, 2019

Edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaron se raporti i OSBE/ ODIHR, vërtetoi pretendimet e opozitës për paligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit. Aleati i Bashës, i cili ka qenë mjaft aktiv në takime ndërkombëtare dhe denoncimin e procesit, thotë se zgjidhje janë vetëm zgjedhjet e reja vendore në të njëjtën ditë me ato parlamentare.

Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për kreun e Republikanëve, Fatmir Mediu konfirmuai se në 30 qershor zgjedhjet ishin të paligjshme, ndërkohë që në krye të pushtetit vendor janë individë  me të kaluar kriminale. Në cilësinë  e një prej aktorëve opozitarë më aktivë për denoncimin e parregullsive që ndodhën në 30 qershor, Mediu thekson se zgjedhjet e vetme lokale janë ato të miratuara nga Presidenti i Republikës në 13 tetor.

“Në 30 qershor nuk kishte zgjedhje dhe për pasojë sot kemi një pushtet lokal të paligjshëm dhe shqiptarët duhet në çdo mënyrë të votojnë sa më parë dhe të kenë pushtetin e tyre lokal. Dekreti i Presidentit është në fuqi dhe vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta shqyrtojë atë.  Në Bashki nuk ka kryetar të zgjedhur, por zgjatim të strukturave Kriminale dhe korruptive të emëruar nga Rama. Zgjedhjet lokale jane ato te deklaruara nga Presidenti ne datë 13 Tetor. Rama dhe struktura e tij kriminale kanë kryer një krim elektoral duke manipuluar zgjedhjet, duke mos zbatuar kushtetutën dhe dekretin e presidentit, kanë kryer dëm financiar duke zëvendësuar zgjedhjet lokale me zgjedhje politike të Rilindjes”.

Zgjidhja sipas Mediut është rikthimi i zgjedhjeve të lira në vend, përmes organizimit të një procesi të ri zgjedhor ku në të njëjtën ditë shqiptarët të votojnë për qeverinë e tyre të re dhe për drejtuesit vendor.

“KQZ është një zgjatim kriminal i Rilindjes që ka shkelur hapur kushtetutën dhe kodin elektoral. Deliri kriminal i KQZ ka kaluar çdo kufi, duke i dhënë vetes autoritetin e gjykimit të kushtetutës, përjashtimit të opozitës dhe krijimit të opozitave fiktive. KQZ mban përgjegjësi penale për mos organizimin e zgjedhjeve të 13 Tetorit. Rama ka një axhendë tërësisht anti europiane dhe antikombëtare. Përballja dhe zgjedhjet sa më parë janë e vetmja rrugë për të ndaluar shkatërrimin e vendit”.

Opozita përpara publikimit të raportit final nga OSBE/ODIHR dorëzoi pranë misionit të vëzhguesve fakte dhe prova që sipas tyre faktojnë se në 30 qershor nuk kishte një proces të rregullt dhe se zgjedhjet nuk ishin legjitime. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!