Keidi Bare: Të motivuar mund të arrijmë edhe një fitore ndaj Francës

schedule18:10 - 4 Shtator, 2019

schedule 18:10 - 4 Shtator, 2019

Dy lojtarë janë tepër të lumtur në ekipin përfaqësues shqiptar, pas grumbullimit të tyre nga trajneri Reja. Marash Kumbulla dhe Keidi Bare treguan emocionet e tyre dhe parashikimin për Francën.

Të jesh titullar në Serinë A në moshën 19-vjeçare nuk është gjë kaq e vogël. Aq më tepër, kur futbollisti në fjalë është shqiptar, dhe tashmë i grumbulluar në ekipin kombëtar.

Marash Kumbulla ishte në formacion në të dyja ndeshjet e Veronës këtë sezon në kampionat, si dhe një sfidë në Kupën e Italisë, ndërsa tashmë shpreson të japë kontribut në përfaqësuese për ndeshjet zyrtare ndaj Francës dhe Islandës.

“Isha shumë i emocionuar. Jam 19 vjeç, do luaj prapë me U21. Jam i lumtur që më thirri profesor Reja. Më duket shumë mirë pasi ka shumë lojtarë që kanë bërë shumë ndeshje me ekip kombëtar dhe kanë eksperiencë internacionale dhe shpresojmë të marrim sa më shumë pikë në këto dy ndeshje”, tha Kumbulla.

Një tjetër lojtar që po fiton vend në ekipin e tij është Keidi Bare. Mesfushori sulmues, pjesë e Malagës në ligën e dytë të Spanjës, pëlqehet nga trajneri Edi Reja, ndërsa është vlerësuar lart edhe nga tifozët e tij spanjollë. Edhe ai, ashtu si Kumbulla, madje më shumë se ai, shpresonte të bëhej pjesë e kombëtares.

“Të them të drejtën e prisja shumë këtë ftesë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu dhe shpresoj që të jap maksimumin tim për të ndihmuar kombëtaren. Nuk stërvitem sepse ka lojtarë si Xhaka, si Abrashi etj. Unë stërvitem për veten time, për ekipin, stërvitem për të dhënë 100%-shin tim pavarësisht se ata kanë shumë ndeshje me ekipin komëbtar. Francën të gjithë e dimë se çfarë ekipi ka. Të jemi të motivuar dhe të jemi në 100% tonë mund të arrijmë edhe një fitore”, tha Bare./ABC News Albania 24/7