Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, personaliteti i muzikës xhaz, Gent Rrushi, ka marrë dhe një video-mesazh surprizë nga artistja e njohur, Elina Duni.
Kjo e fundit e ka befasuar mikun dhe bashkëpunëtorin e saj prej 22 vitesh, përmes disa fjalëve tepër të ndjera. Madje, Elina ka kujtuar momentin e parë që e ka njohur, duke e konsideruar si një muzikant shumë të vyer. Sipas saj, Shqipëria duhet të jetë e lumtur që ka një artist të tillë.
“Ne jemi njohur në Tiranë, në vitin 2001, në ‘Boom Boom Room’ i cili ishte te Lana, ishte klubi i parë i xhazit në Tiranë. Mbaj mend që hyra në atë klub dhe dëgjova Gentin që po luante. Më befasoj, më preku shumë me lojën e tij dhe shkova drejt tij, edhe i thash: ‘Dua të luaj një këngë me ty’. Edhe që natën e parë, filloi ky bashkëpunimi jonë. Madje, atë moment na filmoi mamaja ime dhe e kam akoma atë kasetë, atë moment të rrallë. Më pas unë ndejta disa kohë në Shqipëri dhe ne organizuam koncertin e parë të xhazit në Akademinë e Arteve në shkurt të vitit 2002 dhe punuam intensivisht bashkë, sidomos një repertor xhazi dhe një këngë si ‘Natën vonë’ të Vaçe Zelës dhe më pas vazhduam. Genti ishte i ftuari im sa herë që vija në koncert me kuartretin zvicerian. Pastaj kemi bashkëpunuar për ‘Muzën e Zezë’ në 2014. Sot në kuartetin tim të ri, Genti është gjithmonë aty. Sa herë që vij në Shqipëri, ose në Kosovë, ose në Zvicër, e kam ftuar. Ne kemi 22 vite që njihemi dhe bashkëpunojmë bashkë dhe që jemi shumë miq. Ai është një person shumë i afërt për mua. Jam shumë e lumtur që e kam në jetën time. Është edhe një muzikant shumë i vyer dhe shumë i çmuar, lum Shqipëria që e ka”, tha Duni./abcnews.al