Më shumë se gjysma e sudanezëve kanë nevojë për ndihmë humanitare, njoftoi OKB-ja të mërkurën, pas më shumë se një muaji përleshje mes ushtrisë dhe grupeve paraushtarake, me përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës që deri më tani kanë dështuar.
Përleshjet filluan sërish dje në Khartoum, me rrugë të zbrazëta, ndërsa tymi i zi i dendur shpërtheu mbi kryeqytetin sudanez.
Të paktën 1,000 njerëz janë vrarë që nga fillimi i luftimeve më 15 prill, rreth 840,000 janë zhvendosur brenda vendit dhe 220,000 janë larguar në vende të tjera. Sipas OKB-së, Sudanit i duhen 2.6 miliardë dollarë për të ndihmuar në krizën që ka kapur vendin.
“Sot 25 milionë njerëz, më shumë se gjysma e popullsisë së Sudanit kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare”, tha Ramesh Rajasingham, shefi i OKB-së për çështjet humanitare.
Këtyre parave i shtohen edhe gjysmë miliardë ndihmë për refugjatët që janë strehuar në vendet fqinje. Këtë vit OKB-ja parashikon që refugjatët sudanezë do të arrijnë një milion.
/abcnews.al