Partia Demokratike vijon me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama se po mbron kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku. Ish-deputeti Klevis Balliu në një dalje për mediat, u shpreh se organizata kriminale e Rilindjes po zbaton kodin mafioz të heshtjes, për të mbrojtur të arratisurin nga drejtësia greke, Jorgo Toto, të konvertuar në emrin Agim Kajmaku.
Sipas Balliut, Edi Rama flet për gjithçka, por nuk guxon të thotë asnjë fjalë për Jorgo Kajmakun.
“Jorgo Toto mbrohet nga kryeministri i ardhur në pushtet me krimin, sepse ai është simboli i modelit me të cilin qeveris Shqipërinë prej 6 vitesh”, u shpreh Balliu.
Ish-deputeti demokrat tha më tej se me heshtjen e tij, Edi Rama provoi se është pikërisht ai, mbrojtësi i Agim Kajmakut. /abcnews.al