Mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë, Ivan Balliu do të jetojë finalen e parë europiane në karrierën e tij. Për herë të parë, një arritje të tillë po jeton edhe skuadra e tij Rayo Vallecano që shkruajti historinë, duke siguruar finalen e Conference League.
Spanjollët fituan 1-0 gjysmëfinalen e kthimit në transfertën kundër Strasbourg, ndërsa me të njëjtin rezultat kishin kaluar edhe sfidën e vajtjes në shtëpi. Alemao shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 42-të, ndërsa
në shtesë, vendasit shpërdoruan një 11 metërsh me Encizo. Në këtë ndeshje, Ivan Balliu u aktivizua si zëvendësues në minutën e 78-të, ndërsa shpreson të luajë më shumë në sfidën historike të Rayo Vallecano më 27 maj në Leipzig kundër Crystal Palace.
Skuadra londineze plotësoi “dominimin” anglez në këtë edicion të Kupave të Europës. Pas Arsenal në Champions dhe Aston Villa në Europa League, Crystal Palace siguroi biletën për në finalen e Conference League, pasi mundi 2-1 Shakhtar Donjeck në gjysmëfinalen e kthimit.
Pasi kishin fituar 3-1 sfidën e vajtjes, anglezët kaluan në epërsi falë autogolit të Enrike. Ukrainasit barazuan në pjesën e parë me Eguinaldo, por në fraksionin e dytë u dorëzuan, pasi Ismaila Sarr shënoi golin e dytë dhe atë që vulosi fitoren e Crystal Palace, edhe ky për herë të parë në finalen e një turneu europian./abcnews.al


