A ka nisur kundërofensiva ukrainase?

schedule07:38 - 17 Maj, 2023

schedule 07:38 - 17 Maj, 2023

AFP

Luftimet në Ukrainë janë intensifikuar dhe Kievi po u bën presion të vazhdueshëm aleatëve të tij që t’i ofrojnë më shumë pajisje ushtarake.

Por, a ka nisur realisht kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës kundër forcave ruse?

Analistët thonë se Ukraina ka intensifikuar aktivitetin përgjatë vijës së frontit, duke synuar që veçanërisht t’i shkaktojë sa më shumë viktima që mundet Rusisë përreth qytetit lindor të Bahmutit.

Ndërkaq presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar vizita tek aleatët evropianë, duke marrë zotime nga Britania, Franca dhe Gjermania se do të rrisin mbështetjen ushtarake, përderisa Kievi insiston se ka nevojë për më shumë armatime.

Kryeqytetet perëndimore po presin me padurim nisjen e ofensivës, me shpresën se Ukraina mund të bëjë përparime, të detyrojë Rusinë që të ulet në tavolinën e negociatave sipas kushteve të paraqitura nga Kievi dhe të hapë një rrugë për t’i dhënë fund konfliktit.

Ukraina po synon që të rimarrë kontrollin e territorit të pushtuar nga forcat ruse pas nisjes së pushtimit në shkurt të vitit 2022, por edhe zonat, përfshirë edhe Krimenë dhe pjesë të rajonit të Donbasit, që Rusia mori nën kontroll më 2014.

Beteja për qytetin e Bahmutit, që gjendet në lindje të Ukrainës, është shndërruar në betejën më të gjatë që nga nisja e pushtimit rus.

Ukraina tani pretendon se ka bërë përparime në këtë zonë, duke marrë pozicionet ruse në periferi të Bahmutit.

“Unë anoj më shumë nga interpretimi se Ukraina po detyron forcat ruse të qëndrojnë në Bahmut, duke mbajtur të përkushtuara aty, ndërsa forcat ukrainase po bëjnë vlerësime në zonat e tjera”, tha Ivan Klyszcs, studiues në Qendrën Ndërkombëtare për Mbrojtje dhe Siguri në Estoni.

“Konkluzioni im fillestar është se këto operacione vlerësuese dhe formësimi do të jenë të vazhdueshme, por do të mbeten në nivelin taktik, derisa lidershipi të vendosë për momentin më të mirë të nisur një operacion më të madh”, shtoi ai.

“Vlerësimi i mbrojtjes ruse”

Disa javë më parë, forcat e Moskës kaluan në qëndrim mbrojtës, pasi vendosën një numër të madh ushtarësh për të mbajtur pozicionet.

Organizimi i tyre i ri përfshin edhe hapjen e llogoreve kundër tankeve, vendosjen e linjave të parafabrikuara të mbrojtjes sikurse janë piramidat e vogla prej betoni, që shërbejnë për ndaljen e tankeve e që njihen me termin “dhëmbët e dragoit”. Po ashtu, Moska ka hapur edhe llogore për ushtarët.

Kundërofensiva ukrainase rrezikon të jetë vdekjeprurëse dhe e kushtueshme sa i përket pajisjeve që pritet të përdorë Kievi.

Por, duket se Ukraina ka nisur të bëjë një sërë testesh për të matur efektivitetin e kësaj mbrojtjeje.

“Ukraina ka kryer kundërofensiva lokale në dhe përreth Bahmutit për të goditur trupat e Rusisë dhe për të vlerësuar se çfarë mbrojtje ka në atë rajon. Gjetkë, forcat ukrainase po bëjnë vlerësime të mbrojtjes ruse dhe të mënyrës se si reagojnë trupat ruse”, tha Lucas Webber, bashkëthemelues dhe kryeredaktor i ueb-faqes së lajmeve Militant Wire që merret me aktivitetin ushtarak në nivel global.

Ai tha se është “e vështirë” të thuhet nëse kundërofensiva e planifikuar ka nisur.
“Megjithatë, këto veprime sugjerojnë se Ukraina po përgatitet për diçka më të madhe. Këto mund të jenë operacione formësuese, që të vendosin Ukrainën në një pozicion më të mirë kur të nisin veprimet e vërteta”, shtoi ai.

Webber tha se një kundërofensivë e plotë ka të ngjarë që të përfshijë shumë fronte njëkohësisht, përfshirë edhe operacione për të rimarrë pjesë të rajonit të Zaporizhjës, që aktualisht Kievi nuk e ka nën kontroll.

Këtu përfshihet edhe centrali bërthamor i Zaporizhjës, që ende është nën kontrollin e forcave ruse, dhe të pjesës jugore të rajonit.

Vetëm marrja e Bahmutit do të ishte goditje e madhe për Rusinë.

Ky qytet ka rëndësi simbolike, pasi beteja disamujore për të ia ka zbehur rëndësinë strategjike, veçmas nëse merren parasysh burimet që janë përdorur nga ushtria ruse dhe grupi mercenar rus, Wagner – që udhëhiqet nga Yevgeny Prigozhin – për të marrë nën kontroll Bahmutin.

“Një fushatë e suksesshme ukrainase në rajon do të zemëronte Rusinë dhe do të paraqiste një goditje të konsiderueshme ndaj përpjekjeve të luftës të Moskës”, tha Webber.

“Detyroje tjetrin të bëjë gabim”

Intriga e mëtejme vjen nga sjellja gjithnjë e më e paqëndrueshme e Prigozhinit, i cili po bëhet më i ashpër në kritikat e tij ndaj Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë dhe javën e kaluar ai akuzoi ushtarët e rregullt rusë se “po ikin” në vend se të rigrupohen rreth Bahmutit.

Një raport i Washington Post, i publikuar të shtunën, tha se Prigozhin përgjatë luftës kishte mbajtur kontakte me inteligjencën ukrainase dhe madje në janar kishte ofruar që t’i jepet informacione Kievit lidhur me pozicionet e trupave ruse nëse komandantët ukrainas do të pajtoheshin që të tërhiqnin ushtarët e tyre nga zonat përreth Bahmutit.

Disa komentatorë tani po argumentojnë se ai ka kaluar kufijtë dhe rrezikon që të antagonizojë presidentin rus, Vladimir Putin, por Prigozhin ka hedhur poshtë këto raportime dhe i ka cilësuar pretendimet si “qesharake”.

Pierre Razoux, drejtor i Fondacionit të Mesdheut për Studime Strategjike, me seli në Francë, tha se situata aktuale është karakteristike e një faze ku të dyja palët përdorin lëvizje mashtruese dhe lojëra për të vënë në lajthitje palën tjetër para operacioneve të mëdha.

“Fazat përgatitore të aksioneve klandestine, mashtruese dhe manipuluese duket se kanë nisur nga të dyja palët”, tha ai.

“Secila palë me gjasë po tenton ta detyrojë palën tjetër të bëjë gabim, duke e bindur se do ta sulmojë aty ku është më e dobët”./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!