Izrael/ 19-vjeçarja qëllohet për vdekje pranë shtëpisë për shkak mentalitetit të saj perëndimor

schedule14:38 - 16 Maj, 2023

schedule 14:38 - 16 Maj, 2023

Një vajzë 19-vjeçare, e cila i shmangej stilit të jetesës tradicionale beduinë, vendosi të punonte në një biznes lokal, të studionte dhe të vishte rroba perëndimore, shkruan The Mirror.

Por kjo gjë u bë dhe shkaku i vdekjes së saj. Dima Bushnak e cila nuk donte të ishte si gratë e tjera në fshatin e saj, që punonin kryesisht në bujqësi, u qëllua për vdekje afër shtëpisë së saj.

Të dielën pak para mesnatës, pamjet e kamerave të sigurisë treguan Dimën duke u përpjekur t’i shpëtonte vrasësit të saj. Nga frika dhe paniku ajo përplasi makinën në disa kangjella ndërsa një burrë me pistoletë vrapon drejt saj.

Ai e gjuan nga dritarja e makinës vajzën dhe largohet, por ndalon në mes të rrugës, kthehet prapë tek makina dhe i qëllon sërish me armë. Ngjarja ndodhi afër fshatit beduin të Sallama, në Galile, Izraeli verior.

Dima u dërgua me urgjencë në spital në gjendje kritike, ku më vonë u shpall e vdekur. Ajo dhe familja e saj kishin marrë më parë kërcënime me vdekje për zgjedhjen e stilit të jetesës.

Makina e nënës së saj ishte djegur, por policia nuk ishte në gjendje të zbulonte se kush e kishte bërë atë.

“Vetëm sepse Dima donte të ecte përpara në jetë, disa njerëz filluan ta kërcënonin, e më pas t’i merrnin jetën. Nuk ishin dakort që ajo të punonte apo studionte,”  tha një anëtar i familjes  në kushte anonamiteti.

Policia nuk tha nëse ka ndonjë të dyshuar apo se cili mund të ketë qenë motivi i vrasjes.

Vrasja e Dima është bërë vrasja e 78-të e dhunshme në komunitetin arab këtë vit, një rritje e konsiderueshme nga 30 rastet e raportuara në këtë kohë të vitit të kaluar, siç raportohet nga mbikëqyrësi kundër dhunës i Iniciativave Abraham.

/abcnews.al