Tregtonin kokainë për klientët, arrestohet pronari i lokalit në ish-Bllok e 3 të tjerë

schedule10:37 - 1 Shtator, 2019

schedule 10:37 - 1 Shtator, 2019

Policia e Tiranës ka arrestuar 4 persona, të cilët kishin përshtatur një lokal në zonën e ish-Bllokut  për përdorim lëndësh narkotike. Në pranga kanë rënë: pronari i lokalit në ish bllok me inicialet O. P., 38 vjeç, administratori A. A., 22 vjeç; A. Ll, 30 vjeç, kamarier si dhe E. H., 31 vjeç, klient i lokalit.

Policia bën të ditur se janë proceduar në gjendje të lirë dy shtetas për kryerjen e veprës penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe një shtetas tjetër për kryerjen e veprës penale ”Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kishin marrë informacion se pronari i një lokali në zonën e ish-bllokut, ushtronte aktivitetin e shitjes së lëndës narkotike Kokainë në doza të vogla klientëve të tij dhe për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal përdorte kamarierët dhe banakierët, të cilët mbanin kontakt të herëpashershëm me klientët e këtij lokali, për të mos rënë në sy.

Si rezultat i kontrollit të befasishëm u bë kapja në flagrancë e shtetasve të lartëpërmëndur duke tregtuar lëndë narkotike kokainë.

Gjatë kontrollit të ushtuar, dy klientëve u është gjetur nga një dozë me lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Po gjatë kontrollit në brendësi të lokalit, në pjesën e fundit të banakut, në një ambient të veçuar, janë konstatuar mbetje lëndë pluhur e bardhë e dyshuar kokainë, e sende të tjera që shërbejnë për mbajtjen dhe përdorimin e lëndës narkotike.

Në momentin e kontrollit nga Policia, kamarieri i lokalit ka hedhur në tokë një kuti shkrepse me katër doza kokainë. Gjithashtu në lokal janë gjetur dhe sekuestruar edhe 9 fishekë luftarak si dhe një mjet prerës thikë me plagosje. /ABC News Albania 24/7