Biletat false të urbanëve, gjykata lë në burg vetëm 2 dispeçerët

schedule18:29 - 30 Gusht, 2019

schedule 18:29 - 30 Gusht, 2019

Vetëm dy dispeçerët e linjave urbane, të arrestuar në Tiranë për biletat false, do të vazhdojnë të qëndrojnë në qeli. 6 të arrestuar të tjerë u liruan sot nga paraburgimi, pasi gjykata vendosi për ta masa më të lehta sigurie.

Gjykata e Tiranës la në burg 2 nga 8 personat, të cilët u arrestuan pasi dyshohet se kishin falsifikuar biletat e transportit urban në kryeqytet. Gjyqtari Altin Vadyli vendosi që të lërë në burg dy dispeçerët Lulëzim Allarajn dhe Aldi Duka. Masën e sigurisë detyrim paraqitje gjykata caktoi për Evisa Vora, administratore dhe pronare e linjës së Porcelanit dhe Albana Vrapi bashkëpronare e linjave të Tiranës së Re, Tufinës dhe Shkozës.

Për bashkëshortin e saj Fatos Vrapi, bashkëortak në linjen e urbanëve gjykata vendosi masën e sigurisë arrest shtëpie, dhe pranoi garancinë pasurore 1 milionë lekë për të kaluar në masën “detyrim paraqitje” në momentin e pagesës së kësaj garancie.

Kurse për Ferdinand Ibrahimin, administrator i një linje urbanësh në Tiranë, të birin Anastas Ibrahimi, dhe ekonomisten Klodiana Qato gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Burime konfirmuan se gjatë zhvillimit të seancës Ferdinand Ibrahimi, administrator i njërës prej shoqërive të transportit urban, deklaroi se kishte dijeni për bileta të falsifikuara. Sipas tij, biletat e gjetura në makinën e të birit Anastas Ibrahimi janë të vjetra dhe nuk ishin në përdorim.

Prokurori i çështjes Gentian Abazi kërkoi gjatë relatimit të provave që të lihen në burg  7 prej të arrestuarve, ndërsa për Albana Vrapin, masën e sigurisë detyrim paraqitje. Këta persona u arrestuan pas indicies që kishte marrë prokuroria nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, që kishte kallëzuar tek hetimi tatimor, uljen e numrin e biletave të prodhuara për këto kompani.

Falsifikimi i biletave sipas prokurorisë është bërë për të shmangur detyrimet tatimore nga këto operatorë në transportin urban në Tiranë. Gjatë arrestimit u sekuestruan rreth 150 mijë bileta false të linjave të ndryshme në shërbimin e transportit urban në kryeqytet. /ABC News Albania 24/7