Thyhet memoriali turk në Tiranë

schedule10:57 - 30 Gusht, 2019

schedule 10:57 - 30 Gusht, 2019

Dëmtohet memoriali i vendosur te Parku i Liqenit, pak javë më parë në nderim të viktimave të grushtit të shtetit në Turqi. Ky memorial kishte ngjallur mjaft debate në opinionin publik, ndërkaq policia po heton për autorin.

Ky është sulmi i dytë kundër memorialit turk i ngritur më 15 korrik te parku i liqenit Artificial.

Këtë herë dëmi ishte më i madh. Autori sipas policisë ka vepruar i vetëm.

Ai ka thyer pjesën anësore të memorialit me mjete të forta dhe më pas është larguar pa u shqetësuar nga askush. Uniformat blu nuk kanë rënë ende në gjurmët e autorit të këtij akti, që nuk përjashtohet mundësia që të jetë me sfond ekstremist.

Për këtë arsye, përveç forcave të rendit për zbardhjen e ngjarjes janë angazhuar edhe agjent të anti terrorit në Policinë e Shtetit.

Gjithashtu u administrua dëshmia e rojes së një biznesi, i cili njoftoi i pari uniformat blu për këtë ngjarje.

Memoriali i kushtohet viktimave të tentativës për grusht shteti në Turqi, më 15 korrik të 2016-ës.

Vendosja e këtij memoriali në kodrat pranë liqenit artificial të Tiranës u shoqërua me reagime të shumta, nga shoqëria civile. Po kështu edhe në rrjete sociale duke u shprehur kundër vendosjes së këtij memoriali./ABC News Albania 24/7