Ambasadori britanik në Prishtinë: Është koha që Kosova të propozojë zyratisht një draft-statut për Asociacionin

schedule15:41 - 9 Maj, 2023

schedule 15:41 - 9 Maj, 2023

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abbott deklaroi se ka ardhur koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke u mbështetur në vizionin e kryeministrit Albin Kurti, të prezantuar javën e kaluar.

Abbott u shpreh se draft-statuti i ri duhet të jetë po ashtu në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

“Pra, tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për një Asociacion, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”, shkroi Abbott në rrjetin social Twitter.

Ai ka njoftuar gjithashtu se gjatë kësaj jave në Kosovë do të ketë vizita të rëndësishme.

“Këtë javë do të ketë vizitorë të rëndësishëm në Prishtinë, duke përfshirë drejtoreshën e Britanisë për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ambasadori, duke shtuar se aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.