Subjektet politike në Itali, Partia Demokratike dhe Lëvizja 5 Yjet kanë rënë dakord në parim për të bashkëqeverisur. Pasditen e së mërkurës, dy partitë i kanë komunikuar presidentit Matarela se janë pajtuar për emërimin e Xhuzepe Konte si kryeministër.
Partia Demokratike në Itali deklaroi të mërkurën se është gati të krijojë një koalicion qeverisës me Lëvizjen 5 Yjet, duke lënë pas vite të tëra armiqësi dhe duke shmangur shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Pas disa ditë negociatash të vështira, kryetari i PD Nikola Xingareti i tha presidentit të Italisë Serxho Matarela se është gati të pranojë kandidatin e 5 Yjeve, Xhuzepe Konte, që të mbajë sërish postin e kryeministrit. “Ne e duam Italinë dhe mendojmë se ia vlen ta provojmë këtë eksperiencë”, tha Xingareti për gazetarët. Në kohë të vështira si këto, shtoi ai, shmangia e përgjegjësive për të provuar diçka të re është një luks që nuk mund t’ia lejojmë vetes. Më herët tek presidenti i Republikës ishte vetë kreu i Lëvizjes 5 Yjet, Luixhi Di Maio, që gjithashtu kishte shprehur vullnetin për të bashkëpunuar me demokratët. “Ekziston një marrëveshje me PD që Xhuzepe Kontes t’i jepet mandati për të krijuar një qeveri afatgjatë”, tha Di Maio për mediat pas takimit me kreun e shtetit, duke shtuar se pas emrit të kryeministrit është koha për hartimin e programit qeverisës. Koalicioni i mëparshëm i përbërë nga Lëvja 5 Yjet dhe partia e ekstremit të djathtë Liga e Veriut u rrëzua më herët gjatë muajit, kur lideri Mateo Salvini u tërhoq me shpresën për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, i nxitur nga rritja e popullaritetit. Por plani i tij dështoi tani që 5 Yjet dhe Partia Demokratike janë i dhanë fund armiqësive dhe janë në prag të formimit të qeverisë. Perspektiva e një administrate të re të udhëhequr nga Konte ka nxitur tregjet financiare, që shpresojnë se Italia do të ketë një qeveri që do të bëjë kujdes në aspektin fiskal dhe do të shmangë përplasjen me Europën.
/ABC News Albania 24/7