Një tjetër histori që u trajtua mbrëmjen e sotme në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” ishte ajo e Gjyle Allës nga Lushnja, e cila jeton vetëm. Shtëpia e saj e parë iu dogj ndërsa të dytën ia shkatërroi tërmeti. Për shkak se nuk kishte mundësi, mbeti në banesën e dëmtuar plotësisht.
“Shtëpia mu shemb nga tërmeti. Çfarë binte jashtë, binte edhe brenda. Më duhej të hyja me çizme në shtëpi. Mu kalbën plaçkat të gjitha. Ku të shkoja. Të ardhura nuk kisha, ndihmë jo. Më vdiq edhe burri.”, tregon mes lotësh 61 vjeçarja që jeton vetëm për emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”.
Ajo tregon se kishte frikë të jetonte në banesën e dëmtuar. “Burrin e kam pasur të sëmurë derisa vdiq dhe më la fukara në kulm. Mendoja se do të vdes në shtëpinë që prishi tërmeti. Dritaret i kisha me plastmas.”, u shpreh mes të tjerash Gjylja për emisionin “Shqiptarët për shqiptarët”.
E përlotur, kur mësoi se shqiptarët e kanë ndihmuar dhe është bërë me një shtëpi të re, Gjylja shprehu mirënjohje dhe falenderime. “Zoti ju bekoftë. Zoti ju ruajtë. Ishalla mbarësi. Unë jam si në ëndërr për këtë shtëpi. Jam shumë e lumtur dhe e gëzuar”, u shpreh 61 vjeçarja./abcnews.al