Në Itali janë zbehur shanset për një qeveri të re. Posti i ministrit të Brendshëm ka përplasur Lëvizjen 5 Yjet dhe Partinë Demokratike, që një ditë më parë kishin deklaruar se ishin në drejtimin e duhur për formimin e ekzekutivit të ri.
Bisedimet për formimin e një qeverie në Itali hynë në ngërç ditën e martë, me partinë Lëvizja 5 Yjet dhe atë Demokratike që shkëmbyen akuza për postet kyçe të ekzekutivit, sidomos për atë të ministrit të Brendshëm.
Partia anti-sistem 5 Yjet ndërpreu negociatat me partinë e qendrës së majtë derisa PD t’i rikthehet angazhimit të mëparshëm që kryeministri i dorëhequr Xhuzepe Konte të mund të rikthehet në detyrë.
Nga ana tjetër, PD akuzoi 5 Yjet se po minojnë formimin e qeverisë së re duke kërkuar që posti i ministrit të Brendshëm të mbahet nga lideri i saj Luixhi Di Maio. “Marrëveshja për formimin e qeverisë rrezikon të dështojë për shkak të ambicjeve personale të Luixhi Di Maios, që do me çdo kusht të bëhet ministër i Brendshëm dhe zëvendës kryeministër”, deklaroi një zëdhënës i demokratëve.
Sipas tij, Di Maio nuk ia vë veshin askujt dhe vendos vetëm ultimatume. Në përgjigjen e saj, 5 Yjet tha se, Di Maio, aktualisht zëvendës kryeministër dhe ministër i Punës i administratës në ikje, nuk e ka kërkuar kurrë postin e ministrit të Brendshëm.
Përplasja e fundit vjen pas asaj mes 5 Yjeve dhe Ligës së Veriut që çoi në rrëzimin e koalicionit qeverisës 14-mujor më herët gjatë gushtit.
Mbetet për t’u parë nëse shkëmbimet e akuzave janë më së shumti taktika për të siguruar avantazh në negociatat për postet e kabinetit qeveritar, apo nëse ato kanë vërtet potencialin për të bllokuar një marrëveshje mes dy partive që kanë qenë gjithmonë kundërshtare./ABC News Albania 24/7