Tirana pret sot Teutën në ndeshjen e parë të javës së dytë të Superligës. Të dyja skuadrat kanë mungesa në takimin e orës 19:00, ndërsa luajnë vetëm pas dy ditësh pushim.
Atmosfera është e qetë, siç mund të jetë pas një fitoreje. Tirana e pret me optimizëm ndeshjen e sotme ndaj Teutës në Superligë, me besimin se nuk do t’i zhgënjejë tifozët në “Selman Stërmasi”.
Luhet në orën 19:00, dhe trajneri Ardian Mema ka tri shqetësime. Së pari, dëmtimi i brazilianit Torasa, që mund të zëvendësohet në formacion nga Kobina apo Karabeci.
Së dyti nga fakti se Teuta është shumë më e fortë se Luftëtari, pra ndeshja e javës së dytë mbetet enigmë dhe së treti sepse Tirana luan pas vetëm 2 ditësh të plota pushim.
Teuta, ashtu si kryeqytetasit, e nisi mirë kampionatin, duke mundur Bylisin. Trajneri Bledi Shkëmbi, megjithatë ka probleme në prag të duelit, pasi të dëmtuar janë Çyrbja e Beqja. Shkëmbi bëri një batutë për ish-kapitenin e tij, Osmanin, që tani është me Tiranën.
Në javën e parë të Superligës, Tirana mundi 3-0 Luftëtarin, dhe Teuta kaloi minimalisht 1-0 Bylisin./ABC News Albania 24/7