Vetmia në SHBA paraqet rreziqe shëndetësore po aq vdekjeprurëse sa pirja e duhanit. Kjo gjendje i kushton industrisë shëndetësore miliarda dollarë çdo vit, paralajmëron një zyrtar i lartë shëndetësor amerikan.
Duke folur për këtë situatë Dr. Vivek Murthy, Kirurg i Përgjithshëm i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, raportoi se gjysma e të rriturve amerikanë kanë përjetuar vetminë.
“Ne e dimë se vetmia është një ndjenjë e zakonshme e përjetuar nga shumë njerëz. Është si uria apo etja. Është një ndjenjë që trupi na dërgon kur mungon diçka që na duhet për të mbijetuar”, vuri në dukje ai në një intervistë për Associated Press.
“Miliona njerëz në Amerikë po luftojnë me këtë ndjenjë dhe kjo nuk është normale. Për këtë arsye po ngre alarmin, për të theksuar luftën që po përjetojnë shumë njerëz”, shtoi ai.
Deklaratat e zyrtarit amerikan kanë si qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin për çështjen e vetmisë, ndonëse nuk i përdorin fondet federale për programet e trajtimit.
Hulumtimet tregojnë se amerikanët me pak pjesëmarrje në aktivitete, fetare, sociale apo edhe familjare, raportojnë një intensitet të vazhdueshëm të ndjenjës së vetmisë.
Megjithatë, kjo krizë u përkeqësua ndjeshëm nga pandemia Covid-19, e cila mbylli shkollat, kishat dhe qendrat sociale dhe dënoi miliona amerikanë dhe jo-amerikanë në izolim nga miqtë dhe familja.
Siç konfirmohet nga raporti korrespondues i Murthy-t, njerëzit reduktuan në mënyrë dramatike ndërveprimet e tyre shoqërore, duke zvogëluar kohën që kalonin së bashku. Amerikanët shpenzonin rreth 20 minuta në ditë kontakt fizik në vitin 2020, nga 60 minuta dy dekada më parë.
Epidemia e vetmisë godet veçanërisht të rinjtë e moshës 15-24 vjeç. Kjo grupmoshë raportoi një reduktim prej 70% në kohën e kaluar me miqtë gjatë pandemisë.
Vetmia rrit rrezikun e vdekjes së parakohshme me rreth 30%, me raportin që zbulon se njerëzit me marrëdhënie të kufizuara shoqërore ishin në rrezik më të madh të goditjes në tru dhe sëmundjeve të zemrës. Izolimi gjithashtu rrit gjasat për depresion, ankth dhe demencë. /abcnews.al