Partia Demokratike ka vijuar denoncimin ndaj Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, pas publikimit të faturave financiare të një vizite jashtë vendit. Ish-deputetja Oriola Pampuri tha se ministrja gënjeu në sqarimin e saj publik e në një vend normal, ajo duhej të ishte shkarkuar për shpërdorim të taksave të qytetarëve.
“Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duhet të ishte shkarkuar sot. Media zbuloi se ministrja e vendit më të varfër të Europës, ka firmosur fatura hoteli 700 euro nata. Ky është shpërdorim skandaloz i taksave të qytetarëve më të varfër të Euopës për jetën luksoze të Ministres së Edi Ramës në hotele me 5 yje. Ministrja duhet të ishte shkarkuar sot, edhe sepse ajo gënjeu publikisht, duke deklaruar se faturat e shtrenjta ishin për delegacionin. Faturat që Ministrja ka paguar janë të shkruara e zeza mbi të bardhë. Janë të gjitha për vetëm 1 person, për vetëm 1 dhomë, me emrin e Etilda Gjonajt. Edi Rama hesht, sepse ky abuzim me paratë e shqiptarëve, është standardi i qeverisjes së tij. Ai vetë është grabitësi kryesor i parave dhe pasurive publike, bashkë me ministrat e tij”, tha Pampuri./abcnews.al

