Opozita dhe nje pjese e opinionit publik në Kosovë i kërkojnë kryeministrit Albin Kurti të mos nxitohet për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dy ditë para takimit Kurti–Vuccicc në Bruksel ku do të diskutohet për draft-statutin e Asociacionit, ata i kërkojne kryeministrit të Kosovës të mos bëjë gabime në hapat që do të hedhë.
Njohësi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi, Seb Bytyçi thotë për KosovaPress, se është ende herët për miratimin e statutit të Asociacionit, ndaj Kosova nuk duhet të ngutet për zbatimin e disa pikave të marrëveshjes së Ohrit, për sa kohë Serbia po e shkel vazhdimisht atë.
“Do të diskutohet për Asociacionin, por besoj se do të ketë diskutime më të mëdha për vet implementimin e marrëveshjes sepse ende ka çështje të hapura. Senkuencimi i pikave të marrëveshjes, qëllimi është që të ketë një zbatim të njëkohshëm të saj, në mënyrë që mos të ngutet Kosova në zbatimin e disa pikave dhe të kemi një situatë që Serbia nuk e implementon marrëveshjen, ndërsa Kosova e zbaton atë”, tha ai.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, deklaron për KosovaPress, se statuti i Asociacionit, fillimisht si draft duhet të shkojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
“Për neve si LDK, marrëveshja e Ohrit, ka gjëra të cilat kanë qenë të papranueshme, sidomos pika e shtatë ku flet për vetëmenaxhimin, ndërkohë në tërë këtë dokument nuk i referohet fare Gjykatës Kushtetuese… Filtri i vetëm është Gjykata Kushtetuese, nuk ka filtër tjetër, prandaj duhet të dihet kjo, nuk ka mundësi që të implementohet asgjë tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Selmani.
Por shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se në bazë të tri parimeve të prezantuara nga kryeministri Albin Kurti, asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të ndërhyjë në sistemin kushtetues të Kosovës.
“Kryeministri ka deklaruar prej takimit të Ohrit se është i gatshëm të prezantojë një draft-statut në bazë të tri parimeve të cilat nuk janë assesi në kundërshti as me vendet e Bashkimit Evropian… Në këto parime që assesi nuk ka kompetencë ekzekutive dhe ndërhyrje në sistemin kushtetues, por në bazë të rendin kushtetues të Kosovës ndërtohet një draft, i cili diskutohet”, tha ajo.
Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç më 2 maj në Bruksel. Sipas axhendes se publikuar nga Bashkimi Evropian, fillimisht do të nenshkruhet deklarata për personat e pagjetur, e cila do të pasohet me diskutimet për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë./abcnews.al