Partia Demokratike vijon akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, për lidhjen e tij me krimin dhe kapjen e pushtetit përmes kriminelëve. Duke iu referuar rastit të kandidimit të Agim Kajmakut për bashkinë e Vorës, Basha shkruan në facebok, se Edi Rama e dinte se Kajmaku ka probleme të hapura me drejtësinë greke.
24 orë pas tri pyetjeve të Gazment Bardhit që ngelën pa përgjigje nga Agim Kajmaku, Lulzim Basha akuzon kryeministrin Rama se ka veshur me pushtet dhe nuk lejon veprimin e ligjit për të zgjedhurin e tij në Vorë.
Për liderin e opozitës, historia me Kajmakun është e njëjtë me atë të Valdrit Pjetrit në Shkodër, ku sërish Edi Rama kishte dijeni mbi dënimet por heshti.
“Njëlloj si me Valdrin Pjetrin, Edi Rama e di se Agim Kajmaku i Vorës ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit! Hajduti Psiqik e di se i përzgjedhuri i tij për Vorën ka probleme të hapura me drejtësinë greke, dhe se ai e ka fshehur të vërtetën. Por Edi Rama, përmes Belinda Ballukut, vendosi veton dhe injoroi kërkesën e socialistëve të Vorës para 30 Qershorit që të mos kandidonte një person për të cilin e gjithë Vora e di se ka probleme të hapura me drejtësinë greke“.
Burime nga selia blu konfirmojnë për ABC News se disponojnë të dhëna që konfirmojnë akuzat e tij në drejtim të Kajmakut, ndërkohë që pyetjet për të vijojnë të jenë të hapura:
- Çfarë lidhje ka data 14 Janar 2003 me kandidatin e tyre në Vorë?
- Pse kandidati i tyre i Vorës nuk ka shkuar në Greqi prej vitit 2003 dhe pse menjëherë pas këtij viti ndryshoi gjeneralitetet në Shqipëri?
- Çfarë lidhje ka kandidati i tyre në Vorë me shtetasin me identitetin e rreme “Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parascevi”?
Prokuroria e Përgjithshme me kërkesë të Partisë Demokratike ka nisur një hetim të thelluar për kryebashkiakun e Vorës, ndërkohë që Lulzim Basha ka kërkuar që Kajmaku të largohet menjëherë nga detyra dhe të merret i pandehur pasi ka shkelur ligjin e dekriminalizimit dhe ka fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij./ABC News Albania 24/7