Frenk Lampard arriti fitoren e parë në stolin e Çelsit. Ish-ylli i Bluve të Londrës mbylli me sukses ndeshjen e Premier Ligës në fushën e Noruiçit
Pati besim tek yjet e tij të rinj dhe nuk u gabua.
Ishin pikërisht ata që i dhanë Frenk Lampardit, fitoren e parë në Premier Ligë si trajner i Çelsit, madje suksesin e parë zyrtar.
Në stadiumin e Noruiçit, u lanë pas humbja e rëndë ndaj Mançester Junajtidit dhe barazimi zhgënjyes në Londër kundër Leisterit, dhe kjo për meritë të dy rioshëve.
Tami Abraham dhe Mejzën Maunt ishin autorët e golave në triumfin 3-2, arritur me shumë vështirësi, por gjithsesi të merituar.
Abraham shënoi golin e tij të parë në kampionatin anglez, duke i dhënë avantazhin Bluve të Londrës, por vendasit u përgjigjën për tre minuta falë Tod Kantuellit.
Pjesa e parë ishte thuajse e çmendur, me dy rrjeta të tjera, fillimisht nga i riu i Çelsit, Maunt, dhe pastaj me barazimin në minutën e 30-të të finlandezit Puki.
Pas pushimit, skuadra e Lampardit e mblodhi veten dhe arriti fitoren, që i jep shpresë për të synuar të paktën kualifikimin në Champions këtë sezon.
Pavarësisht fitores dhe fjalëve të mira për të rinjtë, ish-ylli i Çelsit do të ketë shumë punë për të bërë me skuadrën.
Sidomos në pjesën e parë, londinezët u dukën tepër të thyeshëm në mbrojtje, dhe jo vetëm për dy golat e pësuar.
Lampardi ka kërkuar nga lojtarët e tij që të mbushin boshësinë e lënë nga ikja e Eden Hazarit, por kjo nuk do të jetë aq e lehtë./ABC News Albania 24/7