Aeroporti ‘Nënë Tereza’ do të zgjerohet për të pritur avionë transoqeanikë. Zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha se së shpejti do të nisë puna në terren.
“Aeroportin e Tiranës me parametra totalisht të rinj, ku ka një terminal shtesë dhe nga ana tjetër po përgatitet për të ridimensionuar pistën e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, kompania e cila, menaxhon këtë aeroport dhe për ta kthyer atë në një aeroport të aksesueshëm edhe nga avionët transoqeanikë.Por ndërkohë në Vlorë, kantieri po ecën me hapa të shpejtë për të dorëzuar në vitin 2025 aeroportin më të madh në rajon, me një pistë 3.2 km.”
Një tjetër sfidë për Shqipërinë është edhe kthimi në një vend eksportues neto i energjisë elektirke.
“Në 2029 Shqipëria do të jetë eksportuesi neto, i energjisë për të gjithë rajonin. Duke na vendosur në një pozicion tjetër. Jemi totalisht në varësi të motit”
Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri Emanuel Salinas kërkoi më tepër vëmendje për sistemin arsimor për të rritur produktivitetin ne ekonomi.
“Ne vlerësojmë se 40% e prodhueshmërisë humb në sektorin e arsimit.Është një maratonë vetëm me një këmbë. Për ne për të pasur më shumë konkurencë duhet të hidhen baza në arsim. Në fokus duhet të jetë dixhitalizimi sidomos në shkollat fillore dhe kjo kërkon ndryshim të madh.”
Disa projekte të rëndësishme që priten të realizohen në infrastrukturë sipas zv.kryeministres janë korridori i tetë, korridori Blu si dhe hekurrudha Tiranë-Durrës.