Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, tha se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje. Por ai nuk saktësoi se çfarë masash mund të ndërmerren.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Radoiçiç tha se beson se “të gjithë e kanë kuptuar mesazhin që dha populli serb nga veriu i Kosovës”, i cili e bojkotoi në masë të madhe procesin zgjedhor.
Radoiçiq i falënderon bashkatdhetarët e tij nga Leposaviqi, Zveçani, Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku për ato qe ai I quan “patriotizmin, dinjitetin, nderin dhe unitetin e dëshmuar”.
Beogradi zyrtar, i cili mbështet Listën Serbe, ka bërë po ashtu thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, duke shpërndarë foto të disa vendvotimeve në veri të Kosovës, ironizoi duke thene se ato përshkruajnë në të vërtetë “sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike”, të mbështetura nga komuniteti ndërkombëtar.
“Zgjedhje – të lira dhe të ndershme, me forca të armatosura dhe me mjete të blinduara! Kjo është Evropa në shekullin 21”, shkroi Bërnabiq në Twitter. “Kjo tashmë bëhet normë e re demokratike, e prezantuar dhe e mbështetur nga krijuesit e Republikës së Kosovë”, shtoi ajo.
Beogradi u beri thirrje serbeve te Kosoves te mos marrin pjese ne zgjedhjet e pjeseshme ne Veri pasi ata kërkojnë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë./abcnews.al