Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri zhvilloi një takim këtë të premte në selinë rozë, me shefen e misionit të OSBE–ODIHR, Audrey Glover.
Gjatë një deklarate për gazetarët, Gjiknuri u shpreh se u diskutua rreth mbarëvajtjes së zgjedhjeve.
Sipas Gjiknurit, nuk ka një situatë për t’u shqetësuar dhe shtoi se përgjithësisht, fushata elektorale po vijon e qetë, teksa shtoi se nuk duhet të politizohen ngjarjet kriminale.
“Për ndjekjen dhe mbarëvajtjen e fushatës ligjore. Komunikuam me Partinë Socialiste në lidhje me pikëpamjet tona se si po zhvillohet kjo fushatë. Angazhimet ligjore dhe angazhimet politike që kemi marrë dhe njëkohësisht konstatimet e tyre paraprake dhe më shumë ishte një mision të marrjes së opinioneve në lidhje me disa çështje të cilat ata i konsiderojnë të rëndësishme sa i përket fushatës zgjedhore, si financimi, çështja e mbarëvajtjes së fushatës dhe të gjitha çështjet që lidhen me fushatën zgjedhore.
Jo, nuk kishte asnjë mesazh të veçantë sepse ata nuk japin mesazhe. Ata janë të interesuar të dëgjojnë pikëpamjet e të gjitha partive politike për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe natyrshëm bëjnë pyetje në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me administrimin zgjedhor, elementë që lidhen me zbatimin e legjislacionit zgjedhor dhe rekomandimet e ODIHR-it. Nuk paraqiti asnjë shqetësim. Nga konstatimi i tyre, nuk ka një situatë për t’u shqetësuar, fushata përgjithësisht ka qenë e qetë. Kishin pyetje në lidhje me vendimmarrjen e KQZ, për çështjen e listës së zgjedhjeve. Janë gjëra teknike, adminstratrive dhe nuk besoj se vënë në pikëpyetje, mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri”, theksoi ai./abcnews.al