Ministria e Financave i është përgjigjur Voltana Ademit, duke sqaruar se i ka shlyer të gjitha pagesat ndaj bashkisë së Shkodrës, sipas ligjit. Por në një reagim kryetarja në detyrë e Bashkise së qytetit verior thotë se shqetësimi i saj është për periudhën në vijim, pasi ajo nuk ka asnjë shkresë pëer përfundimin e mandatit.
Një ditë pasi kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi denoncoi publikisht se Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka bllokuar proceduarat e likuidimit për fondet dhe investimet, ka reaguar kjo e fundit.
“Përsa i përket kësaj situate, Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaron se: ditën e djeshme janë ekzekutuar nga Dega e Thesarit, Shkodër, të gjitha pagesat dhe urdhërpagesat e depozituara nga Bashkia Shkodër, brenda orarit zyrtar dhe sipas gjithë procedurave ligjore”.
Në njoftimin që i ka shpërndarë medias Ministria e Financave dhe Ekonomise thotë se këtë mund ta provoje përmes dokumentacionit të nevojshëm që zotëron ajo vetë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit dhe Dega e Thesarit në Shkodër.
“Ministria e Financave dhe Ekonomisë ju bën me dije se ky dikaster është në funksion të zbatimit të ligjit për të gjithë qytetarët njësoj pa dallime.”
Një ditë pas konstituimit të Këshillit të ri bashkiak, Voltana Ademi si kryebashkiake në detyrë e Shkodrës i kërkoi ministres së Financave dhe Ekonomise Anila Denaj zhbllokimin e fondeve.
Ademi ka publikuar edhe korrespondencën me Drejtorinë e Thesarit e cila në rrugë zyrtare i bënte me dije se nuk e njeh më si kryebashkiake, pasi i ka mbaruar mandati.
Për situatën e krijuar Ademi ka vënë në dijeni dhe ambasadën e SHBA dhe ambasadat e vendeve të Bashkimit Europian në Shqipëri. /ABC News Albania 24/7