“Muzeu jashtë muzeut”, ekspozitë për ditën ndërkombëtare të trashëgimisë

schedule16:23 - 18 Prill, 2023

schedule 16:23 - 18 Prill, 2023

Në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore, artefaktet më të rëndësishme të Muzeut Arkeologjik Durrës, dolën jashtë mureve të tij për t’u ekspozuar në ambientet e shkollës artistike “Jan Kukuzeli”.

Ekspozita “Muzeu jashtë Muzeut” kishte për qëllim të sillte sa më pranë të rinjve dhe qytetarëve, dëshmi nga trashëgimia e pasur kulturore e Durrësit 3000-vjeçar.

Ndikimi i elementëve atmosferike te trashëgimia kulturore është i ndjeshëm, për këtë arsye specialistja Antigoni Gjergji tha se një rëndësi e veçantë merr ruajtja e tyre. Sipas saj kjo nuk duhet të bëhet vetëm përmes fondeve shtetërore, por edhe projekteve të institucioneve ndërkombëtare.

Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore e gjen Durrësin me më pak monumente të vizitueshme, kjo për shkak të rikonstruksionit të tyre.

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëmtime të shumta në trashëgiminë kulturore të Durrësit. Me fondet e programit EU4Culture janë duke u rijetësuar shumë monumente si Torra Veneciane, Hamami turk, Muzeu Arkeologjik, ndërsa të tjera si Muzeu Etnografik qëndrojnë të kyçura prej më shumë se 3 vitesh.

Në fillim të sezonit turistik pritet të hapet Torra Veneciane që po shndërrohet në të vetmen qendër digjitale informacioni për trashëgiminë e pasur kulturore të Durrësit./abcnews.al