Ambasada e Italisë në Kosovë është pajtuar me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili të dielën është shprehur se marrëveshja e arritur në Ohër duhet të zbatohet plotësisht dhe menjëherë.
Ambasada ka potencuar se zbatimi i plotë i të gjitha pikave të marrëveshjes bazë dhe aneksit të saj është thelbësor.
“Italia mbështet fuqishëm këtë rrugëtim për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, është shkruar në faqen zyrtare të ambasadës në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur të dielën (16 prill) se marrëveshja e arritur në Ohër duhet të zbatohet plotësisht dhe menjëherë. Ai ka shkruar se në dy vjetët e fundit, Kosova ka kaluar duke negociuar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Serbinë.
“Më 18 mars në Ohër/Ohrid, HR/VP i BE-së Josep BorrellF njoftoi zyrtarisht marrëveshjen. Ajo që është rënë dakord tani duhet të zbatohet – plotësisht dhe menjëherë. Asnjë zbatim i pjesshëm; pa vonesa.”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti është pajtuar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili është shprehur se zbatimi i plotë i të gjitha pikave të marrëveshjes nga Kosova dhe Serbia është i nevojshëm.
Ndryshe, më 18 mars 2023, Kosova dhe Serbia janë takuar në Ohër, ku janë pajtuar për zbatimin e ankesit të marrëveshjes sipas planit evropian. Por, kjo marrëveshje përveç dakordimit nuk është nënshkruar pas refuzimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç./KosovaPress