Tritol banesës së babait të Leonard dhe Elis Dukës, rivalët e betuar të Ervis Martinajt

schedule08:06 - 18 Prill, 2023

schedule 08:06 - 18 Prill, 2023

Në orët e para të mëngjesit një sasi tritoli shpërtheu në zonën e Freskut në kryeqytet. Lënda shpërthyese ishte vendosur në derën e banesës së shtetasit Muhamet Duka, në katin e katërt të pallatit.

Bëhet me dije se Mehmet Duka është babai i Leonard dhe Elis Dukës, të akuzuar për vrasjes e Santiago Malkos dhe një grup rival i Ervis Martinajt.

Leonard Duka u arrestua pak kohë më parë, ndërkohë që dy vëllezërit ishin shpallur në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos në 2019-ën. Santiago Malko ishte njeri i besuar i Ervis Martinajt, ndërsa dy vëllezërit Duka njihen nga policia si kundërshtarë të Martinajt.

Por kush është Leonard Duka dhe si nisi konflikti i përgjakshëm mes klanit që mban mbiemrin e tij dhe Ervis Martinajt?

20 MARS 2017

Erlis Duka së bashku me vëllain e tij Leonard Duka plagosin 34-vjeçarin Eduard Duka. Ai ndodhej në trotuarin para një lokali në zonën e Kinostudios, kur u qëllua me armë. Dëshmitarët thanë se Eduard Duka u qëllua me pistoletë nga një person që lëvizte me motor dhe kishte skafandër në kokë.

Drejtuesi i motoçikletës ka qenë dikush tjetër, po ashtu me skafandër në kokë. Më pas të dy u larguan në drejtim të Freskut. Atentati erdhi një muaj pas një konflikti fizik që i plagosuri, bashkë me të vëllain, Rigert Duka kishin pasur me dy vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Pavarësisht mbiemrit të njëjtë-ata nuk kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin.

27 QERSHOR 2018

Në një lokal në Kinostudio, plagosen dy vëllezër, Rivelino dhe Juxhin Mumajesi. Banorët e zonës raportuan mbi 15 të shtëna armësh, që vinin nga një lokal bastesh në brendësi të lagjes. Përveç dy vëllezërve 36 e 24 vjeç, aty u plagos edhe shtetasi Ibrahim Durollari, 28 vjeç.

Policia në atë kohë shoqëroi 23 persona. Ndërsa në media u lakua emir i Santiago Malkos, si personi që qëlloi me armë. Madje u publikua edhe një video ku shfaqeshin dy persona duke qëlluar ndaj vëllezërve dhe mikut të tyre.

Në video shihet nisja e konfliktit jashtë ambienteve të lokalit të basteve. I shtrirë përtokë shihet Rivelino Mumajesi, i mbuluar me gjak, ndërsa në fund të shkallëve ndodhet Santiago Malko me pistoletë në dorë. Njëri nga personat që qëllon është Santiago Malko, ndërsa personi që e shoqëron është Erigers Mihasi, i cili po ashtu është ekzekutuar në një tjetër atentat.

Ngjarja e asaj kohe u dyshua për prishje pazaresh. Ndërsa pas saj dolën në skenë edhe vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, pasi ata njiheshin për miqësinë me të plagosurit. Në materialet e dosjes hetimore në lidhje me këtë ngjarje, thuhet se është e provuar se shtetasi Santiago Malko ka marrë pjesë në plagosje.

Po ashtu, në dosje thuhet se Malko ka rrahur edhe Erlis Dukën, në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Për të dy këto ngjarje, direktivat janë dhënë nga Ervis Martinaj. Ashtu siç u përfol edhe për një ngjarje tjetër, për të cilën nuk pati kurrë asnjë kallëzim.

Thuhej se me urdhër të Ervis Martinajt, Santiago Malko kishte marrë peng për disa orë dhe ka dhunuar babain e vëllezërve Duka. E mesa duket fakti që nuk ishte denoncuar, tregonte se gjithçka do të zgjidhej privatisht.

Emri i Santiago Malkos del edhe në dosjen e ngjarjes së 4 tetorit 2018, në zonën e ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj e Eljon Hato. Megjithatë, edhe pse është provuar se Malko ishte prezent në atë ngjarje, nuk ka rezultuar të ketë qenë i përfshirë. Pas këtyre ngjarjeve, nisën përgatitjet për të sulmuar Ervis Martinajn.

 8 PRILL 2019

Policia njofton se kishte goditur një grup të strukturuar kriminal në fushën e trafikut të drogës. Në operacionin e kryer nga Antidroga dhe oficerë të Krimeve Kundër Jetës, u arrestuan 4 persona, njëri i konsideruar si drejtuesi.

Ata ishin Leonard Duka, i dyshuar si drejtuesi, Oltian Loga, Dritan Agaj dhe Elvis Gaçaj, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë. Këta persona po mbaheshin në vëzhgim prej kohësh nga oficerët e Antidrogës, por Policia është detyruar të ndërhyjë para përfundimit të hetimeve.

Shak për përshpejtimin e aksionit u bë një informacion që u zbulua gjatë hetimeve. Personat në fjalë, po përgatiteshin të kryenin një vrasje. Në atë kohë Policia nuk dha më shumë informacion, por më vonë pati të dhëna se po organizohej vrasja e Ervis Martinajt.

Gjatë aksionit policia sekuestroi armë, municion, drogë dhe një makinë të blinduar. Megjithatë pak kohë më vonë të gjithë personat e arrestuar u lanë të lirë nga Gjykata e Apelit, në rrethana ende të paqarta. Përveç Elvis Gaçajt, për të cilin Gjykata vendosi masën “arrest shtëpie”.

MAJ – QERSHOR 2019

Disa muaj më parë, Gjykata e Tiranës dënoi tre persona që informonin klanin “Duka” për lëvizjet e Ervis Martinajt. Këta persona, mes tyre dhe një grua, u dënuar me nga 2 vite burgim, për akuzën “Sigurim i kushteve për të kryer vrasje”. Vendimi i gjykatës së Tiranës, erdhi në kohën kur nuk dihet asgjë për fatin e biznesmenit, Ervis Martinaj, i raportuar si i zhdukur në Policinë e Laçit, prej datës 9 gusht 2022. Sipas vendimit të Gjykatës, rezulton e provuar se Martinaj është tentuar të vritej nga klani “Duka” në dy raste.

27 GUSHT 2019

Ekzektutohet brenda makinës së tij, në një atentat të organizuar në rrugën “Xhanfize Keko”, Santiago Malko. Duke qenë se dështuan në vrasjen e Ervis Martinajt, klani “Duka” organizoi atentatit ku mbeti i vrarë njeriu u besuar i tij.

Blendi Teta, personi i arrestuar për moskallëzim krimi, ka treguar se ka qenë duke darkuar në bodrumin e një lokali, në zonën e Freskut, në afërsi të teleferikut. Lokal është në pronësi të vëllezërve Leonard dhe Elris Duka.

Atë ditë kanë qëndruar në bodrumin e këtij lokali, ku ndodhet një ambient që shërben si zyrë. Sipas dëshmisë së Blendi Tetës, i vetmi i dënuar për ngjarjen deri tani, rreth orës 20:00, Leonardi dhe Erlisi kanë thënë: “Çohuni çuna se kemi punë.”

Kanë dalë të gjithë bashkë dhe kanë hipur në dy makina. E para “Golf 5”, ngjyrë gri dhe e dyta, “Skoda”, që u gjet e fshehur në një parkim pranë drejtorisë së ish-pyjores në rrugën “Dalip Topi”.

Në vendin e parë të Skodës, është ulur Blendi Teta. Makina ka lëvizur nga Fresku të IKV, te Komisariati i Qarkullimit Rrugor, ka dalë në rrugën “Myslym Keta” dhe më pas ka marrë drejtimin te Komisariati nr.4.

Aty ka mbërritur edhe Golfi. Në pak minuta, makinat kanë ecur në drejtim të kryqëzimit të Alliasit, më pas kanë vazhduar lëvizjen në rrugën ngjitur me murin e shkollës së Bashkuar në drejtim të Oxhakut. Aty janë kthyer djathtas në rrugën Kongresi i Manastirit në drejtim të SHISH.

Lëvizjet e automjeteve janë fokusuar në pjesën më të madhe nga kamerat e sigurisë së bizneseve të ndryshme. Kur “Skoda” ndodhej tek spitali nr.5, njëri nga personat në makinë, i ka kërkuar shoferit të ndryshojë drejtimin e lëvizjes, duke i thënë: “ktheje se ka parkuar te kazanët”.

Në rrugën “Xhanfize Keko”, ata kanë parë makinën “BMW X5”.

Më pas, Blendi Teta thotë se është larguar drejt shtëpisë pasi ka kuptuar se dicka e keqe do ndodhte. Dinamika e ngjarjes është zbardhur përmes kamerave të sigurisë. Më 27 janar, në Gjykatën e Posaçme u shfaqën për herë të parë pamjet filmike të kamerave të sigurisë që kanë fiksuar vrasjen e Santjago Malkos.

Ngjarja është fiksuar nga kamera e një lavazhi ne zonën e Porcelanit, ku duket makina e atentatorëve. Nga pamjet që u shfaqën në seancën gjyqësore, duket që autorët fillimisht i kanë bërë shenjë me drita Malkos për të ndaluar.

Në momentin që ai ndalon ata e qëllojnë me breshëri kallashnikovi nga brenda makinës. Më pas makina “BMW X5”, ku ishte Sanjago Malko lëviz për disa sekonda dhe përplaset me kazanën e mbeturinave.

Për vrasjen e Santiago Malkos  është dënuar me 25 vite burg  Blendi Teta, i pari që u arrestua për ngjarjen dhe u gjykua në një proces më vete si bashkëpunëtor në vrasje. Sipas dosjes hetimore, ekzekutor dyshohet të jetë Fatmir Hyseni nga Vlora, i shpallur në kërkim.

Ndërkohë që akuzohen si organizatorë vëllezërit e klanit Duka, Leonard dhe Erlis Duka, për të cilët ka nisur gjykimi në mungesë. Santiago Malko dyshohet se u ekzekutua nga grupi rival i Ervis Martinaj, për shkak të lidhjeve të afërta me këtë të fundit. Nga përfundimi i hetimeve ka dalë se shkaku i vrasjes së tij ishte rivaliteti në biznesin e paligjshëm të lotove sportive.

Ervis Martinaj, i shumëkërkuari i drejtësisë vijon të jetë i zhdukur prej gushtit të viti 2022 dhe policia ende nuk e ka një përgjigje se çfarë ka ndodhur me të. r.t/abcnews.al