Tetë ditë paraburgim për anesteziologun që publikoi video të pacienteve nga Gjinekologjia

schedule15:38 - 16 Prill, 2023

schedule 15:38 - 16 Prill, 2023

Gjykata Themelore në Tetovë i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej tetë ditëve, anesteziologut nga Tetova, për shkak të xhirimit të një videoje nga Reparti i Gjinekologjisë në Spitalin Klinik në Tetovë, të cilën më pas e kishte publikuar në aplikacionin TikTok.

Prokuroria e Tetovës akuzon 43-vjeçarin (V.D) për veprat, “punë të pakujdesshme në shërbim” dhe “incizim të paautorizuar”.

Anesteziologu tani gjendet në burgun e Shutkës.

Ai ishte arrestuar të premten pas mesnate, disa orë pasi kishte publikuar videon në TikTok.

Denoncimi është bërë nga drejtori i spitalit të Tetovës, Pëllumb Vela, i cili aktin e mjekut e kishte cilësuar të “papranueshëm”.

Spitali i Tetovës, gjithashtu, në procedurë urgjente ka vendosur për largimin e mjekut nga puna.

Vendimi i spitalit është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut.

“Nuk flasim për suspendim, por flasim për largim nga marrëdhënia e punës. Ne inkurajojmë prokurorinë që këto raste të trajtohen deri në fund. Të gjitha parregullsitë nuk do të mund të kalojnë pa u ndëshkuar. Do të ketë kontrolle të rrepta sa i përket sektorit të shëndetësisë. Tash e tutje shëndetësia nuk do jetë siç ka qenë”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, pas vizitës në spitalin e Tetovës.

Oda e Mjekëve e Maqedonisë së Veriut, e ka dënuar ashpër incidentin me anesteziologun, duke kërkuar nga institucionet masa përkatëse.

“Kërkesa për respektimin e të drejtave personale nis nga respektimi i të drejtave të të tjerëve, në këtë rast të të drejtave të pacientëve. Në një kohë sa më të shkurtër do të thirren organet e Odës për shqyrtimin e rastit dhe marrjen e veprimeve dhe masave”, thuhet në reagimin e Odës së Mjekëve.

Oda e Mjekëve thotë se nuk do të lejojë që incidente të tilla të izoluara, të jenë barrë e të gjithë mjekëve, të cilët profesionalisht dhe me përgjegjësi veprojnë dhe trajtojnë pacientët në baza ditore”.

Ky rast ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, me kërkesat që të merren masa urgjente nga institucionet përkatëse, por edhe masa tjera për parandalimin e publikimeve të tilla që cenojnë privatësinë e njerëzve./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!